Franca dhe Gjermania kanë prezantuar një plan të ri për të përshpejtuar afrimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe Moldavisë me Bashkimin Evropian, në një përpjekje për të krijuar një “dinamikë të re” në procesin e zgjerimit të bllokut.
Sipas dokumentit të parë nga “Euractiv”, iniciativa është hartuar nga kancelari gjerman Friedrich Merz dhe presidenti francez Emmanuel Macron, dhe synon të ofrojë më shumë integrim gradual për vendet kandidate, në varësi të progresit të reformave.
Plani parasheh krijimin e ashtuquajturave “blloqe ndërtuese”, përmes të cilave vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Moldavia do të përfshihen më thellë në programet, institucionet dhe politikat e BE-së, edhe para anëtarësimit të plotë.
Këto përfshijnë pjesëmarrje më të rregullt në takime me institucionet evropiane, përfshirje në programet si Erasmus+ dhe Horizon, si dhe integrim gradual në tregun e vetëm evropian në fusha të ndryshme si energjia, digjitalizimi dhe tregtia.
Megjithatë, në dokument theksohet se ky integrim do të jetë i kthyeshëm në rast të regresit në zbatimin e reformave dhe respektimit të vlerave të BE-së.
Iniciativa është përshëndetur nga përfaqësues të Parlamentit Evropian, të cilët e kanë cilësuar si një hap që rrit besueshmërinë e procesit të zgjerimit dhe e lidh më ngushtë progresin e reformave me përfitimet konkrete për vendet kandidate.
Plani pritet të diskutohet në kuadër të samitit BE–Ballkani Perëndimor që po zhvillohet në Mal të Zi.
Nëse miratohet, kjo nismë do të shënonte një qasje të re të BE-së ndaj zgjerimit, duke e bërë procesin më të ndërlidhur dhe më të shpejtë për vendet e rajonit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!