image BE gjobit Apple dhe Meta: Masa të para historike sipas Aktit për Tregjet Dixhitale

Evropë

BE gjobit Apple dhe Meta: Masa të para historike sipas Aktit për Tregjet Dixhitale

news image

Bashkimi Evropian ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm kundër dy prej gjigantëve më të mëdhenj të teknologjisë amerikane – Apple dhe Meta – duke vendosur gjoba që arrijnë në 700 milionë euro.

Ky është rasti i parë i penalizimeve që vjen në bazë të Aktit të ri për Tregjet Dixhitale, një ligj i miratuar për të rritur konkurrencën dhe për të frenuar sjelljet monopoliste në sektorin dixhital.

Apple është goditur me një gjobë prej 500 milionë eurosh, ndërsa Meta – kompania mëmë e Facebook, Instagram dhe WhatsApp – është ndëshkuar me 200 milionë euro.

Sipas Komisionit Evropian, që udhëheq këtë proces, këto kompani kanë shkelur rregullat e reja duke përdorur pozitën e tyre dominuese në mënyrë që dëmton konkurrencën dhe, në fund të fundit, konsumatorët evropianë/.

Hetimi, që ka zgjatur një vit, ka nxjerrë në pah disa praktika problematike: Apple është akuzuar për kufizime ndaj zhvilluesve të aplikacioneve, duke i ndaluar ata të promovojnë shërbimet e tyre jashtë App Store, ndërsa Meta është kritikuar për mënyrën se si i përdor të dhënat personale të përdoruesve për reklama të personalizuara.

Ky vendim i BE-së pritet të shkaktojë reagime të forta edhe nga ana e SHBA-së. Ish-presidenti Donald Trump ka kritikuar më herët qasjen evropiane ndaj kompanive amerikane dhe ka paralajmëruar masa hakmarrëse në formën e tarifave tregtare ndaj vendeve të BE-së, duke e quajtur këtë “një përpjekje për të përfituar nga fuqia dhe suksesi i teknologjisë amerikane”.

BE, nga ana tjetër, argumenton se veprimet e saj synojnë të sigurojnë një fushë loje të barabartë për të gjithë dhe të mbrojnë konsumatorët nga dominimi i pak kompanive në tregun dixhital.

/GazetaSinjali/