Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka njoftuar në Baku një program prej 20 milionë eurosh për mbështetjen e paqes në Kaukazin Jugor, gjatë një konference të përbashkët me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.
Sipas saj, fondet do të orientohen drejt projekteve në kujdesin shëndetësor, çminim, zhvillim rural dhe menaxhimin e ujërave, me synim përmirësimin e kushteve të jetesës në zonat kufitare.
Von der Leyen ka bërë të ditur gjithashtu se Bashkimi Evropian planifikon të investojë deri në 200 milionë euro në sektorët e transportit, energjisë dhe lidhjes digjitale në rajon, duke synuar mobilizimin e deri në 2 miliardë euro investime publike dhe private. Ajo ka propozuar edhe krijimin e një Partneriteti të Lidhshmërisë BE–Azerbajxhan.
Nga ana tjetër, presidenti Ilham Aliyev ka deklaruar se marrëdhëniet mes Azerbajxhanit dhe BE-së po kalojnë një periudhë dinamike, duke theksuar bashkëpunimin në energji, lidhshmëri dhe procesin e paqes me Armeninë.
Ai ka vlerësuar mbështetjen e Komisionit Evropian për forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në Kaukazin Jugor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!