Policia e Kosovës ka zhvilluar një aksion në dy lokacione në komunën e Zubin Potokut, në kuadër të hetimeve për një rast kanosjeje ndaj ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla.
Sipas njoftimit zyrtar, pas pranimit të informacioneve për incidentin e ndodhur disa ditë më parë, njësitet policore kanë ndërmarrë veprime hetimore që kanë çuar në realizimin e bastisjeve në veri të vendit.
Autoritetet bëjnë të ditur se i dyshuari për rastin është një mashkull kosovar i nacionalitetit serb, i cili dyshohet se ndodhet jashtë territorit të Kosovës.
Gjatë kontrolleve në dy lokacionet e bastisura, policia ka sekuestruar gjithsej katër armë të gjata të llojeve të ndryshme. Në njërin lokacion janë gjetur dhe konfiskuar tri armë, ndërsa në tjetrin një armë tjetër. Dy prej armëve kanë rezultuar me leje, ndërsa dy të tjera pa leje.
Armët e sekuestruara janë marrë nga njësitet kompetente, ndërsa hetimet për rastin po vazhdojnë në koordinim me organet e drejtësisë.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në garantimin e rendit dhe sigurisë publike, si dhe në parandalimin e veprave penale në të gjithë territorin e vendit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!