image Bastisje në veri: Policia gjen AK-47, municion dhe flamur me mbishkrim “Kosovo je Serbia”

Siguri

Bastisje në veri: Policia gjen AK-47, municion dhe flamur me mbishkrim “Kosovo je Serbia”

news image

Policia e Kosovës ka realizuar kontrolle në tri lokacione në komunat Leposaviq dhe Vushtrri, ku ka sekuestruar armë, municion dhe materiale të tjera.

Sipas njoftimit të Policisë, zyrtarët e Sektorit të Hetimeve Rajonale në Mitrovicë të Veriut, në bashkëpunim me njësitë për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit në Prizren, kanë siguruar informacione se një person me inicialet A.A., i lindur në vitin 1997 dhe me vendbanim në Leposaviq, dyshohej se posedonte armë ilegale.

Pas pranimit të informatave, njësitë policore kanë kryer kontrolle në dy lokacione në Leposaviq dhe një tjetër në Vushtrri.

Gjatë bastisjeve, Policia ka bërë të ditur se ka gjetur dhe sekuestruar një flamur me mbishkrimin “Kosovo je Serbia”, dy bomba tymuese, një pistoletë me gaz me karikator, një armë të gjatë AK-47 dhe një karikator me 30 fishekë.

Për rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e hetimeve për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

I dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të prokurorit, është liruar për të vazhduar procedurën e rregullt.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se mbetet e angazhuar në identifikimin dhe largimin e armëve ilegale nga duart e qytetarëve dhe ka apeluar që rastet e dyshimta të raportohen në numrin emergjent 192.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/