Një aksion i Policisë së Kosovës ka goditur një lokal në Prishtinë, ku shtatë persona janë kapur duke luajtur bixhoz me letra, ndërsa në tavolinë u gjetën para të gatshme, raporton Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë të ditur se bastisja është zhvilluar rreth orës 00:00 në një lokal në rrugën “Ismet Krasniqi”, ku njësitet policore, së bashku me hetuesit, kanë ndërhyrë pas dyshimeve për organizim të lojërave të fatit.
Në momentin e bastisjes, në lokal janë hasur M.A, rreth 27-vjeçar, B.A, rreth 38-vjeçar, S.K rreth 43-vjeçar, E.K. rreth 42-vjeçar, F.S rreth 34-vjeçar, V.S , rreth 34-vjeçar dhe K.M, rreth 50-vjeçar, të cilët dyshohet se po luanin bixhoz me letra.
Sipas burimeve, mbi tavolinë janë gjetur dhe sekuestruar rreth 200 euro para të gatshme, së bashku me letrat e bixhozit që dyshohet se përdoreshin për zhvillimin e lojës.
Të pranishmit janë intervistuar në cilësinë e dëshmitarëve, ndërsa pronari i lokalit, Behxhet Aliu, rreth 58-vjeçar, është intervistuar në cilësinë e të dyshuarit.
Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, rasti është iniciuar për veprën penale “Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm”. Pas përfundimit të procedurave, personat janë liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet vazhdojnë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!