Një aksion i Policisë së Kosovës në fshatin Akrashticë të Vushtrrisë ka rezultuar me sekuestrimin e armëve dhe municionit, ndërsa një person është proceduar për armëmbajtje pa autorizim.
Burime të besueshme nga strukturat e afërta me hetimin bëjnë të ditur se njësitet patrulluese, në bashkëpunim me hetuesit policorë, kanë zbatuar një urdhër kontrolli në një shtëpi në këtë fshat.
Gjatë bastisjes, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar dy armë zjarri, përfshirë një armë të gjatë dhe një armë me tytë të shkurtër të llojit P.A.K Cal. 9 mm – Blow C75. Po ashtu, janë konfiskuar edhe shtatë fishekë të kalibrit 9 mm, të cilët dyshohet se janë me gaz.
Lidhur me rastin është intervistuar Vedat Shala, ndaj të cilit është iniciuar procedurë për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas përfundimit të intervistimit dhe në konsultim me Prokurorin e Shtetit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt, ndërsa hetimet për rastin janë në vazhdim.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!