Bashkimi i Prizrenit është finalisti i dytë i plejofit në Superligën e Kosovës në basketboll.
Bashkimi e siguroi finalen të enjten mbrëma në palestrën “Karagaçi” në Pejë. E mposhti skuadrën pejane me rezultat 84:78.
Për Bashkimin ishte fitorja e tretë në serinë gjysmëfinale, sa edhe kërkohen për kualifikim në finale.
Ndeshja në Pejë, si shumë ndeshje tjera të plejofit, është përcjellë me incidente. Në fillim të çerekut të katërt një tifoz, që ishte në parket, e goditi me top basketbollistin e Bashkimit, Jayveous McKinnis.
Amerikani iu afrua, ndërsa tifozi e shtyu në trup. Janë afruar edhe lojtarë tjerë të Bashkimit dhe u krijua një tollovi. Tifozët u larguan nga ajo pjesë e parketit dhe ndeshja vazhdoi pas pak minutash. Ndërkohë, tetë sekonda para fundit, në fushën e lojës u hodhën mjete plasëse. Madje një mjet shpërthyer është hedhur shumë pranë këmbëve të Altin Morinës, basketbollistit të Bashkimit. Ndeshja u ndërpre sërish, ndërsa vazhdoi pas largimit të të gjithë tifozëve nga palestra.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!