Bashkimi Evropian po përgatitet për një hap të madh në mbështetje të industrisë teknologjike, me synimin për të rivalizuar gjigantët globalë si SHBA dhe Kina.
Komisioni Evropian ka bërë të ditur planet për krijimin e një fondi publiko-privat me vlerë minimale prej 10 miliardë eurosh, që do të ndihmojë kompanitë teknologjike të rriten dhe të konkurrojnë më fuqishëm në tregun ndërkombëtar, raporton Reuters.
Strategjia më e re e Komisionit, e quajtur “Zgjidh Evropën për të filluar dhe për t’u zgjeruar”, u prezantua të mërkurën dhe synon të adresojë mungesën e startup-eve evropiane që arrijnë vlerësimin prej mbi 1 miliard dollarësh – të ashtuquajturat “unicorn”.
Në kuadër të kësaj strategjie, Komisioni synon të nisë në vitin 2026 një “Fond për Zhvillimin e Evropës”, i cili do të investojë drejtpërdrejt në kompanitë me potencial të lartë. Ky fond do të menaxhohet nga një investitor privat dhe do të ketë një rol kyç në nxitjen e rritjes së ekosistemit të startup-eve teknologjike në Evropë.
“Nuk duam që të jetë një pikë uji. Duam që të bëjë një ndryshim të qartë”, tha një zyrtar i Komisionit, duke theksuar se qëllimi është të krijohet një ndikim konkret dhe i matshëm.
Në të njëjtën kohë, BE-ja po punon përmes Unionit të Kursimeve dhe Investimeve për të mobilizuar kapital privat drejt sektorit të biznesit, duke përfshirë edhe zhvillimin e industrisë së pensioneve private në të gjithë rajonin.
Ndër propozimet e tjera të strategjisë janë: lehtësimi i kornizës rregullative për startup-et e teknologjisë së lartë, ulja e barrës administrative, rritja e qasjes në prokurimin publik dhe krijimi i mundësive të reja për themeluesit jashtë BE-së që duan të operojnë në tregun evropian.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!