image Bashkëpunëtorët thonë se s’po gjejnë vend për ceremoninë e lamtumirës për Navalnyn

Botë

Bashkëpunëtorët thonë se s’po gjejnë vend për ceremoninë e lamtumirës për Navalnyn

news image

Bashkëpunëtorët e politikanit të ndjerë opozitar, Aleksei Navalny, thanë se nuk po mund të gjejnë një vend në kryeqytetin rus për të organizuar një ceremoni publike të lamtumirës për kritikun e Kremlinit, pasi nëna e tij tha se është shantazhuar nga zyrtarët që të mbajë të fshehtë një ceremoni të lamtumirës për të birin.

Familjarët e Navalnyt ende nuk kanë konfirmuar detaje për ceremoninë e lamtumirës dhe funeralin për kritikun e Kremlinit.

“Ne kemi thirrur shumicën e agjencive private dhe shtetërore të funeraleve, entitetet komerciale dhe ato që organizojnë ceremoni të lamtumirës. Disa thanë se i kanë të zëna vendet, të tjerët refuzuan të flisnin pasi dëgjonin emrin e Navalnyt”, tha zëdhënësja Kyra Yarmysh përmes një postimi në X.

“Në një vend na thanë direkt që janë urdhëruar që të mos bashkëpunojnë me ne”, shtoi ajo, një ditë pasi publikoi një postim ku thuhej se ekipi i Navalnyt po kërkonte një vend për të organizuar një ceremoni publike të lamtumirës të premten.

Disa kanale në Telegram kanë përmendur vende të mundshme ku Navalny mund të varroset dhe që të gjitha varrezat e përmendura ishin në Moskë.

Trupi i Navalnyt iu dorëzua nënës së tij, Lyudmila Navalnaya më 24 shkurt, më shumë se një javë pasi ai vdiq në rrethana të dyshimta në një burg në Arktik.

Ende nuk është bërë publike shkaku i vdekjes së 47-vjeçarit.

/GazetaSinjali/