Gazeta Sinjali raportoi sot ekskluzivisht për aksionin e koduar si “Bardhoshi 2”, që rezultoi me arrestimin e një grupi kriminal prej tre personave dhe sekuestrimin e një sasie të konsiderueshme të marihuanës, kokainë, një shumë të të hollave, si dhe armëve. Aksioni u zhvillua në Suharekë, ku u kapën të dyshuarit, teksa bastisjet u kryen në shtëpitë e tyre në Prishtinë.
Raportimi i Sinjalit tashmë është konfirmuar edhe nga Policia, që publikoi pamjet e provave dhe dëshmive të sekuestruara gjatë këtij aksioni.
Tre të dyshuarit u kapën në autostradën Prishtinë – Prizren, në fshatin Reshtan, ku pas kontrollit policor, në veturën e tyre u gjet një sasi e substancës marihuanë dhe një sasi e kokainës. Përveç drogës, Policia ka arritur të gjejë edhe një shumë të parave që po ashtu janë sekuestruar si prova më lidhje me rastin.
Pas arrestimit të të dyshuarve, Policia ka kryer edhe kontrolle në shtëpitë e të dyshuarve në Prishtinë, ku po ashtu u sekuestruan edhe një sasi e drogës, armë, mes tyre edhe kallashnikov, municion, para në valuta të ndryshme, si dhe pajisje për përpunimin e substancave narkotike.