Momente paniku, lot dhe ankth janë përjetuar në kryeqytetin venezuelian, Karakas, pas dy tërmeteve të fuqishme që goditën qytetin brenda pak sekondash nga njëri-tjetri.
Gazetarja Nicole Kolster, e cila ndodhej në apartamentin e saj në katin e shtatë, ka rrëfyer se lëkundjet ishin jashtëzakonisht të forta. Ajo tha se pa dritaret duke u dridhur dhe instinktivisht u strehua mes derës së hyrjes dhe një muri guri për t’u mbrojtur.
“Është tërmeti më i fortë që kam ndjerë ndonjëherë në jetën time. Ishte aq i fuqishëm sa mendova se ndërtesa do të binte mbi mua”, ka rrëfyer ajo.
Pas lëkundjeve, banorët kanë dalë menjëherë në rrugë nga frika e pasgoditjeve. Pamjet e shpërndara në rrjetet sociale tregojnë qytetarë që qajnë, përqafohen dhe kërkojnë familjarët në mes të kaosit.
Një banore e zonës së prekur ka thënë se lëkundjet kanë shkaktuar dëmtime në banesën e saj.
“Ka shtylla të rrëzuara, nuk kemi energji elektrike dhe as sinjal telefoni”, ka deklaruar ajo.
Ndërkohë, raportohet se nga rrënojat e disa ndërtesave të dëmtuara janë dëgjuar thirrje për ndihmë, ndërsa ekipet e emergjencës po vazhdojnë operacionet e kërkim-shpëtimit.
Për shumë qytetarë, tërmeti ka rikthyer kujtimet e katastrofës së vitit 1967 në Karakas, kur një lëkundje e fortë kishte shkaktuar qindra viktima. Disa banorë kanë thënë se tërmeti i fundit ka qenë edhe më i frikshëm.
“Gjërat ranë në të gjithë shtëpinë. Nuk kam përjetuar kurrë diçka të tillë”, ka thënë një banor.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!