image Banorët në protesta për katër ditë me radhë – kryeshefi i Trepçës refuzon kërkesën për anulim të konkursit

Kosovë

Prononcim/ Banorët në protesta për katër ditë me radhë – kryeshefi i Trepçës refuzon kërkesën për anulim të konkursit

news image

Banorë të shumtë të Shalës së Bajgorës janë duke vazhduar të protestojnë për punësimet e më shumë se 200 punëtorëve në ndërmarrjen publike “Trepça”. Përkundër se sot ka intervenuar edhe Njësia Speciale e Policisë së Kosovës, në protestën e katërt me radhë, kryeshefi i Trepçës vazhdon të insistojë se konkursi ka shkuar gjithçka sipas rregullit.

Në një bisedë telefonike me Gazetën Sinjali, kryeshefi i Trepçës, Basri Ibrahimi, ka thënë se kërkesa e banorëve për anulimin e konkursit nuk do të pranohet. Ai ka thënë se anulimin e këtij konkursi nuk ka drejtë ta bëjë askush.

Gjatë bisedës telefonike Ibrahimi ka thënë se edhe kryetari i Mitrovicës, Agim Bahtiri është i keq informuar për këtë konkurs.

“Konkursin e fundit nuk ka të drejtë të anulojë askush sepse është çështje ligjore, konkursin mundet me anulu vetëm nëse ndonjë organ kompetent, eventualisht po them nëse ka pasur shkelje të tilla ligjore dhe eventualisht me anulu. Askush nuk ka të drejtë ta anulojë konkursin në mënyrë arbitrare, pavarësisht kërkesave të qytetarëve. Ndërsa sa i përket reagimit të kryetarit Agim Bahtiri, se Shala është anashkaluar, unë i them se Shala nuk është anashkaluar fare, sepse mbi 80 përqind të atyre që janë shpallur fitues janë nga Shala”, ka thënë Ibrahimi për Gazetën Sinjali.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me kryetarin e Mitrovicës, Agim Bahtirin lidhur me reagimin e tij që banorët kanë të drejtë të protestojnë pasi janë anashkaluar.

I pyetur nëse kishte informacion se në ndërmarrjen e Trepçës, janë të punësuar mbi 80 përqind të Shalës së Bajgorës, ai u përgjigj  “Jam jashtë vendit, nuk kam njohuri”.

Basri Ibrahimi, ka theksuar se banorët e Shalës, janë duke u shfrytëzuar nga politika, sipas tij dikush është duke luajtur me ndjenjat e tyre sepse politika ka interesa personale të cilët po i keqpërdorin banorët, ndërkaq Trepça është ndërmarrje që nuk merret me zgjidhjen e problemeve sociale.

‘’Trepça si ndërmarrje, nuk ka mundësi të zgjidhë problemet sociale të banorëve, janë organe të tjera të cilat merren me problemet sociale. Mua më vjen keq dhe bashkëndjej me këtë situatë, si biznes ne punësojmë aq njerëz sa na nevojiten me e zhvillu dhe me e rritë biznesin’’, tha Ibrahimi.

Gazeta Sinjali ka kontaktuar edhe me Ministrinë e Zhvillimit Ekonomik, e cila është në cilësinë e aksionarit për Ndërmarrjet Publike Qendrore, ku kanë thënë se kanë kompetencë vetëm për mbikëqyrjen e Bordeve të Drejtorëve, ndërsa Kryeshefi Ekzekutiv, pozitë të cilën e mbanë, Basri Ibrahimi, është përgjegjës për menaxhimin e ndërmarrjes “Trepça SH.A”.

“MZHE në cilësi të aksionarit për Ndërmarrjet Publike Qendrore ka kompetencë në mbikëqyrje të Bordeve të Drejtorëve, ndërsa Kryeshefi Ekzekutiv është përgjegjës për menaxhimin e Ndërmarrjes”, thuhet në përgjigjen e MZHE-së.

Në anën tjetër banorët janë duke vazhduar protestat edhe në ditën e katërt me radhë duke kërkuar që konkursi ku janë pranuar më shumë se 200 punëtorë të anulohet./Gazeta Sinjali/