Banorët e fshatit Saradran, në Komunën e Istogut, kanë ngritur shqetësimin për një kanalizim të shpërthyer, i cili, sipas tyre, prej rreth 10 ditësh po shkakton ndotje dhe po vështirëson jetën e përditshme të banorëve.
Ankesat kanë mbërritur në redaksinë e Sinjalit, ku banorët thonë se, pavarësisht situatës që e cilësojnë shqetësuese, deri më tani askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka ndërmarrë veprime për sanimin e problemit.
Sipas tyre, ujërat e zeza kanë dalë në sipërfaqe, duke krijuar erë të rëndë dhe duke ngritur shqetësime për rrezikun që kjo situatë mund të paraqesë për shëndetin publik, veçanërisht gjatë temperaturave të larta.
Për të marrë një qëndrim zyrtar lidhur me këtë rast, Sinjali ka dërguar pyetje edhe në Komunën e Istogut, duke kërkuar sqarime për arsyet e mosndërhyrjes dhe për masat që pritet të ndërmerren.
Megjithatë, deri në momentin e publikimit të këtij lajmi, Komuna e Istogut nuk ka kthyer përgjigje.
Banorët kërkojnë që institucionet kompetente të reagojnë sa më shpejt, duke e riparuar kanalizimin dhe duke parandaluar përkeqësimin e mëtejshëm të situatës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!