Banorët e rrugës “Muharrem Fejza” me rrugët lidhëse, do të protestojnë sërish, pas dy javësh por këtë radhë përpara ndërtesës së Komunës së Prishtinës.
Protesta do të zhvillohet ditën e nesërme duke filluar nga ora 11:30, ka bërë të ditur përmes një njoftimi organizatori i protestës, Dren Shahini.
Gjithashtu, gjatë protestës do të bëhet e ditur edhe për peticionin i cili siç thuhet, do t’i paraprijë padisë nga banorët e lagjes për Komunën e Prishtinës.
“Ne banorët e rrugës “Muharrem Fejza” me rrugët lidhëse, me datë 10/08/2021, ditë e martë, në ora 11:30 deri ora 12:00, tek oborri i objektit të vjetër të Komunës së Prishtinës do të PROTESTOJMË për përditshmërinë tonë, gjendjen e rrugës gjegjësisht punimet në rrugë. Edhe pas protestës së para dy javëve nuk kemi parë përshpejtim të punimeve. Gjithashtu, në protestë do të ju njoftojmë për peticionin i cili do t`i paraprinë PADISË nga ne banorët për Komunën e Prishtinës!”, thuhet në njoftim.
Banorët e kësaj pjese të lagjes “Mati 1” janë ankuar se që nga fundi i muajit prill prej që kanë filluar punimet në rrugën “Muharrem Fejza”, e përditshmja e qytetarëve është rënduar.
“Nuk kemi hapësira të sigurta për ecje si këmbësorë, persona me nevoja të veçanta tash e sa muaj kanë mbetur mbyllur. Prindërit me fëmijë të vegjël nuk kanë kah të lëvizin me karroca. Të sëmurët e të moshuarit janë në hall. Shërbimet emergjente e kanë të pamundur të qasen në lagje. Mungojnë rrugët alternative dhe ato pak rrugë që shfrytëzohen për hyrje-dalje nga lagjja nuk mirëmbahen. Kështu çdo ditë dëmtohen veturat nga gropat dhe pusetat e hapura që janë rrezik për çdo kënd. Me reshjet e fundit, shumë shtëpi e kate përdhese të ndërtesave janë përmbytur krejtësisht”, vazhdon njoftimi.