image Banka Botërore ia jep Kosovës 50 milionë euro bashkë me një paralajmërim dhe një vërejtje

Financa

Banka Botërore ia jep Kosovës 50 milionë euro bashkë me një paralajmërim dhe një vërejtje

news image

Banka Botërore përmes një komunikate për media ka njoftuar se ministri i Financave në Qeverinë e Kosovës, Hekuran Murati, dhe zv.presidentja e Bankës Botërore për Evropë dhe Azi Qendrore kanë nënshkruar një marrëveshje për Financimin e Operacionit të Financimit të Politikave Zhvillimore për Financa Publike dhe Rritje të Qëndrueshmërisë.

Siç ka njoftuar Banka Botërore, ky financim kap vlerën e 50.6 milionë eurove dhe mbështet prioritetet të përzgjedhura shtetërore për periudhën 2021-2025, përfshirë reformat për të mbështetur transparencën fiskale, zhvillimin e sektorit privat dhe forcimin e qëndrueshmërisë mjedisore në vazhdën e krizës së shkaktuar nga COVID-19.

“Kosova ka nevojë për rritje më të shpejtë dhe më të qëndrueshme, që krijon vende pune dhe nxitet nga produktiviteti më i lartë, dhe reformat e mbështetura nga ky operacion do ta mbështesin Kosovën në përforcimin e rimëkëmbjes pas COVID-19 dhe përmirësimin e jetës së njerëzve të saj”, tha Anna Bjerde, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Evropën dhe Azinë Qendrore.

Tutje nga Banka Botërore thuhet se Kosova ka pësuar një rritje të madhe ekonomike në vitin 2021, megjithatë thonë se një rritje e tillë do të ngadalësohet gjatë këtij viti.

“Ekonomia e Kosovës përjetoi një rimëkëmbje të fuqishme në vitin 2021, mbështetur nga rikthimi i kërkesës së brendshme dhe rritja rekorde e eksporteve, edhe pse rritja pritet të ngadalësohet këtë vit. Në këtë kontekst, mekanizmi DPF do të mbështesë masat që synojnë përmirësimin e transparencës fiskale dhe rritjen e qëndrueshmërisë fiskale në periudhë afatmesme, në funksion të përpjekjeve të Qeverisë për adresimin e boshllëqeve të konsiderueshme zhvillimore dhe promovimin e uljes më të shpejtë të varfërisë”, thuhet në njoftimin e BB-së.

Në fund të komunikatës, nga Banka Botërore theksojnë vërejtjen e tyre serioze se perspektiva afatgjate e Kosovës rrezikohet nga fakti që prodhimi i energjisë mbështetet në djegien e fosileve dhe nga mosmenaxhimi i duhur i mbeturinave.

“Kosova ka përjetuar thatësira dhe vërshime më të shpeshta dhe më të rënda. Prodhimi i energjisë, i varur shumë nga lëndët djegëse fosile, dhe menaxhimi jo i duhur i mbeturinave, kontribuojnë në ndotjen e madhe të ajrit dhe degradimin e mjedisit dhe ndikojnë negativisht në shëndetin e qytetarëve të vendit, duke rrezikuar perspektivën afatgjate të rritjes ekonomike të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

“Kosova ka përjetuar thatësira dhe vërshime më të shpeshta dhe më të rënda. Prodhimi i energjisë, i varur shumë nga lëndët djegëse fosile, dhe menaxhimi jo i duhur i mbeturinave, kontribuojnë në ndotjen e madhe të ajrit dhe degradimin e mjedisit dhe ndikojnë negativisht në shëndetin e qytetarëve të vendit, duke rrezikuar perspektivën afatgjate të rritjes ekonomike të Kosovës. Për të ndihmuar përpjekjet e Kosovës për një tranzicion të gjelbër, DPF do të mbështesë gjithashtu reformat mjedisore në prodhimin e qëndrueshëm të energjisë dhe menaxhimin e mbeturinave. FPZH financohet me një kredi koncesionare nga Shoqata Ndërkombëtare e Zhvillimit (IDA) e Grupit të Bankës Botërore. Kredia ka një kohëzgjatje (maturim) prej 25 vitesh, me fillim të shtyer pagese (grejsperiudhë) prej 5 vjetësh. Projekti do të kordinohet nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve”, theksohet tutje.

/GazetaSinjali/