Rregullat e FIFA parashikojnë që një karton i kuq i drejtpërdrejtë sjell automatikisht një pezullim prej një ndeshjeje, i cili zakonisht nuk mund të apelohet nga skuadra.
Megjithatë, organizata është përfshirë në një polemikë të madhe pasi sulmuesit amerikan Folarin Balogun iu hoq pezullimi për një ndeshje, duke i lejuar të luajë në 1/8 e finales kundër Belgjikës.
Vendimi u mor pas një ndërhyrjeje të presidentit amerikan Donald Trump, sipas burimeve të huaja, shkruan Euronews, përcjell Sinjali.
Sipas raportimeve, Balogun kishte marrë karton të kuq pas një ndërhyrjeje të rishikuar me VAR në ndeshjen ndaj Bosnjës, për një faull ndaj një mbrojtësi kundërshtar. Fillimisht ai ishte i pezulluar automatikisht për një ndeshje.
Por FIFA vendosi më pas ta pezullojë ndëshkimin për një vit, duke i mundësuar lojtarit të aktivizohet menjëherë, një vendim që ka shkaktuar reagime të forta në botën e futbollit.
UEFA e ka kritikuar ashpër këtë lëvizje, duke deklaruar se “është kaluar një vijë e kuqe” dhe se vendime të tilla rrezikojnë integritetin e sportit.
Komisioneri evropian për sportin, Glenn Micallef, tha se vendimi ishte i gabuar dhe se “çështjet sportive duhet të mbeten në duart e organeve sportive, jo të politikanëve”.
Edhe Federata e Futbollit të Belgjikës reagoi me habi, duke thënë se po shqyrton të gjitha opsionet për të mbrojtur parimet e fair-play-it, ndërsa trajneri i Belgjikës, Rudi Garcia, e ironizoi vendimin duke thënë se “sot 5 korriku duket si 1 prill”.
Nga ana tjetër, përfaqësues të SHBA-së dhe trajneri Mauricio Pochettino e kanë mirëpritur vendimin, duke e quajtur ndëshkimin fillestar shumë të ashpër dhe kartonin e kuq të padrejtë.
Rasti ka shkaktuar debat të madh në botën e futbollit, duke vënë në qendër të vëmendjes ndikimin e politikës në vendimet sportive dhe pavarësinë e institucioneve ndërkombëtare të futbollit.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!