Ministri i Brendshëm në detyrë, Taulant Balla dhe Ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, kanë shkuar në Shëngjin ku po shohin nga afër situatën e zjarreve.
Gjatë fjalës së tij për media, Balla tha se zjarri është i përmasave shumë të mëdha dhe në ndihmë të forcave zjarrfikëse ka ardhur edhe qeveria italiane përmes dy helikopterëve.
Sipas Ballës, ministri i Mbrojtjes është në kontakt edhe me KFOR-in, për përdorimin e mjeteve të tyre ajrore për shuarjen e flakëve.
Ai shtoi gjithashtu se dyshohet për zjarrvënie të qëllimshme dhe do të punohet për kapjen e autorit.
“Kanë punuar prej dje pasdite dhe sot gjithë ditën forcat zjarrfikëse, jo vetëm të qarkut Lezhë, për shuarjen e flakëve. Përmasat e këtij zjarri janë shumë të mëdha. Na kanë ardhur në ndihmë edhe qeveria italiane, pas një komunikimi që ka pasur kryeministri me homologen Meloni. Jemi në kontakt edhe me mekanizmin evropian, ku presim forca të tjera mbështetëse edhe nga ajri. Unë kam pasur komunikim edhe me ministrin slloven, sepse ata kanë kapacitetet që përmes mekanizmit të mbështesin. Ndërkohë ministri i Mbrojtjes është në kontakt me KFOR. Sipas informacioneve nga Policia këtu kemi të bëjmë me zjarrvënie të qëllimshme dhe do të punojmë për gjetjen e autorit”, tha Balla./Euronews Albania