Kryetarja e Listës së Bashkimit Socialdemokrat, Duda Balje ka reaguar ndaj një shkrimi të kandidates për deputete nga komuniteti boshnjak Adrijana Hoxhiq e cila tha se do të bëjë gjithçka që të dëshmojë se Kosova nuk është shtet i së drejtës.
Balje përmes një shkrimi në rrjetet sociale ka thënë se ata që deklarojnë se Kosova është shtet jo ligjor kanë probleme serioze me demokracinë dhe drejtësinë.
“Krenare me shtetin tim, Kosovën
U vërtetua dhe konfirmua nga shteti ligjor i Kosovës që askush nuk mundet të shkelë dinjitetin e asnjë komuniteti me vota të një komuniteti tjetër. Tash e tutje çdo kush kur të aplikon për mandate të rezervuara e ka të kjart që nuk mund të luaj me vullnetin e askujt! Shteti i Kosovës është shtet demokratik dhe ligjor, kurse ata që deklarojn se Kosova është shtet jo ligjor kanë probleme serioze me demokracinë dhe drejtësin. Kur dikush që ka dashur të dhunoj demokracin e Kosovës flet për jodemokraci atëherë nuk do shumë koment”, ka thënë Balje.
Ndërkohë Balje sot ka deklaruar në një prononcim për RTK-në se do të votojë për Kurtin si kryeministër dhe Osmanin si president.
“Unë e votoj zotin Kurtin për kryeministër pasi që ka marrë kaq shumë vota. Edhe zonjën Osmani e votoj për presidente”, ka thënë Balje.