Emilija Rexhepi dhe Duda Balje kanë akuzuar Listën Serbe dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për ndërhyrje në procesin zgjedhor në Kosovë, përkatësisht në shtrembërimin e vullnetit të votuesve boshnjak.
Pas Duda Baljes, që në zgjedhjet e fundit kandidoi me partinë e saj të sapoformuar SDU, edhe një deputete nga legjislatura e fundit, Emilija Rexhepi, ka ngritur shqetësimin se deputetët e minoritetit boshnjak janë përcaktuar me votat serbe dhe me ndikim direkt nga Beogradi.
Në bazë të Kushtetutës, tri ulëse në Kuvend janë të rezervuara për boshnjakët dhe në bazë të rezultateve preliminare, ato tri ulëse i kanë fituar “Ujedinjena Zajednica” e Adriana Hoxhiqit, Koalicioni Vakat dhe “Nova Demokratska Stranka” e Rexhepit.
Deputetja Rexhepi në një intervistë për portalin e Bosnjës, “Politicki.ba”, ka thënë se dy nga tre deputetët boshnjakë janë përcaktuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që sipas saj kontrollon edhe Listën Serbe në Kosovë, e cila ka fituar të 10 mandatet e rezervuara për serbët.
Sipas saj, tash Vuçiqi ka 12 deputetë në Kuvendin e Kosovës, të cilët i kontrollon si të do ai.
“Plani i tyre ishte që t’i fitonin të tre mandatet e boshnjakëve dhe kjo u pa me votat që erdhën nga të gjitha komunat me shumicë serbe”, ka thënë Rexhepi, duke iu referuar votave për UZ-në dhe Vakatin. “Ne nuk e shesim identitetin tonë nacional”.
Më herët, edhe Duda Balje, që sipas rezultateve preliminare nuk do të jetë deputete në këtë legjislaturë, ka akuzuar Listën Serbe dhe Vuçiqin për këtë shtrembërim të vullnetit të qytetarëve.
“Po përgatitemi për Gjykatë Kushtetuese. A po prishet ngadalë ‘plani’. Nuk pranojmë të na shisni për pazaret tuaj, kurrë”, ka shkruar ndër të tjera Balje në Facebook për këtë çështje.
Për këtë fenomen të ri, të votimit të partive boshnjake në komunat me shumicë serbe kanë folur edhe njohësit e fushës. Deri më tash nuk ka pasur një reagim nga liderët institucional.
Në bazë të rezultateve preliminare, pa u numëruar votat me kusht dhe ato të diasporës, nga subjektet politike boshnjake më së shumti vota ka fituar “Ujedinjena Zajednica” e Adriana Hoxhiqit – 6.379 vota apo 0,81%. Më pas vjen Koalicioni Vakat me 5.672 vota a po 0,72%, pastaj NDS-ja e Rexhepit me 2.763 vota apo 0,35% dhe në fund SDU-ja e Duda Baljes me 2.434 vota apo 0,31%.
Në përgjithësi, zgjedhjet e 14 shkurtit i ka fituar Lëvizja Vetëvendosje me 47.85 për qind të votave, bazuar në rezultatet preliminare. /GazetaSinjali/