image ​Balje: Dikush është fajtor, dorëheqja është mesazh i mirë

Politikë

​Balje: Dikush është fajtor, dorëheqja është mesazh i mirë

news image

Kryetarja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Duda Balje kërkon dënim të përjetshëm për ish-bashkëshortin e 35-vjeçares shtatzëne, i cili dyshohet se e la të vdekur para Gjinekologjisë.

Ajo deklaron se dikush duhet të jep dorëheqje pas vrasjes së saj, një ditë para se të bëhej nënë. Balje shton se për këtë rast dikush është fajtor dhe shteti ka rënë nga provimi.

Në intervistën për KosovaPress, deputetja Duda Balje thotë se në dy jetët e humbura, ka dështuar i tërë sistemi i drejtësisë.

“Nga momenti kur gruaja ka shkuar dhe ka lajmëruar rastin në polici, e deri në momentin e vrasjes, ne komplet kemi dështuar në komplet sistemin. Edhe ne si deputetë duhet të bëjmë pyetjet se ku jemi ne fajtorë, secili prej nesh duhet të pyes se kush është fajtor dhe të rregullojmë që të mos ndodhë kështu diçka edhe një herë. Ne jemi në fazën e fundit të Ligjit për Mbrojtje të Dhunës në Familje. Ligjin e kemi kaluar në Komisionin për të Drejtat e Njeriut edhe tash është në fazën e fundit para votimit në Kuvend. Ka kaluar në qeveri, kemi marrë komente shumë të mira. Pas votimit të parë dhe të dytë në Kuvend, do të dalim me një ligj shumë më radikal dhe ku kemi provuar të korrigjojmë defektin të cilën ne kemi detektuar në sistemin që është aktiv”, thotë ajo.

Për dorasin, Balje ka kërkuar dënim të përjetshëm.

“Unë mendoj si deputete dhe mendimi im personal është që dënimi i përjetshëm është pikëpyetje se a është i mjaftueshëm, por patjetër duhet të ndodhë, patjetër”, shprehet ajo.

Më tej, dorëheqjet nga personat përgjegjës do të ishin mesazh i mirë dhe për këtë shton se dikush është fajtor.

“Nëse kjo ndodh, do të jepte një mesazh shumë të mirë. Nëse nuk je në nivel që të bësh korrigjim, për të bërë drejtësi deri në fund ndoshta nuk e ke aftësinë mjaftueshëm për të bërë këtë punë. Tash kush duhet të jep dorëheqje është pikëpyetje. Por, nëse ne mundemi të detektojmë personin ose grupet e personave të cilat janë përgjegjës, unë mendoj po… tash a është ministrja direkt përgjegjës, por dikush është fajtor edhe në momentin kur ne mundemi të detektojmë se kush është, atëherë për të plotësuar anën morale duhet vetë të jep dorëheqje”, shton ajo.

Deputetja Duda Balje, e cila udhëheq Komisionin për të Drejtat e Njeriut, thotë se pret që nga fillimi i vitit të ri të fillojë implementimi i Ligjit të ri për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje.

“Ne jemi përgjegjës për ligjin dhe është në fazën e fundit. Unë jam e sigurt që pas Vitit të Ri ligji do të jetë funksional dhe në fazë të implementimit. Ne si legjislativ mundemi të bisedojmë edhe më Ministrinë për Punë të Brendshme, Ministrinë për Drejtësi edhe mundemi me nivelin lokal. Ne kemi punë për të detektuar se ku është gabimi më i madh dhe të dimë se çfarë të bëjmë”, thekson Balje.

Mbrëmë dyshohet se një burrë ka vrarë ish-bashkëshorten e saj shtatzënë para Klinikës së Gjinekologjisë. Ajo pritej që ditën e sotme të sillte në jetë fëmijën, ndërkohë që e njëjta kishte urdhër-mbrojtje. Personi që dyshohet se vrau 35-vjeçaren është ende në arrati, ndërkaq Policia e Kosovës ka kërkuar nga qytetarët informata, të cilat mund të ndihmojnë në arrestimin e të dyshuarit.

/GazetaSinjali/