Deputetja e zgjedhur e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se zgjedhjet e brendshme përbëjnë zgjidhjen e duhur për partinë, në një kohë kur brenda lidershipit janë thelluar përplasjet.
Tri degë të LDK-së të martën i kanë kërkuar kryetarit Lumir Abdixhiku dorëheqjen nga posti i tij, pas rezultatit zgjedhor ku partia u rendit sërish e treta në zgjedhjet e 7 qershorit. Abdixhiku e ka refuzuar kërkesën, duke u thirrur në votëbesimin e marrë më 31 janar, ndërsa ka kërkuar dorëheqjen e kryetarëve të degëve që kërkuan largimin e tij.
Bajrami, e cila më herët kishte dhënë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së LDK-së, ka thënë se partia ka nevojë për reflektim të thellë dhe përgjegjësi politike.
“Zgjedhjet e brendshme janë zgjidhja, të sillemi me dinjitet, sepse pozitat nuk janë të përhershme. E kam thënë edhe në janar se në LDK përgjegjësia politike nuk mund të jetë selektive dhe se pas një rezultati të rëndë zgjedhor duhet të ketë reflektim, përgjegjësi dhe zgjedhje të brendshme”, ka shkruar ajo në Facebook.
Ajo ka theksuar se edhe votimi ku rreth 45 për qind e delegatëve ishin deklaruar për dorëheqje ka qenë sinjal i qartë se partia ka nevojë për reflektim të brendshëm.
“Por kryetari vendosi të vazhdojë, madje me kompetenca të zgjeruara nga po ai Kuvend. Sot, pas një rezultati tjetër zgjedhor që e la LDK-në përsëri në vendin e tretë dhe pas kërkesave publike të disa degëve për përgjegjësi politike, bëhet edhe më e qartë se problemet që i kishim identifikuar në janar nuk janë adresuar asnjëherë. Qëndrimi im nuk ka ndryshuar. LDK-ja ka nevojë për reflektim të sinqertë, përgjegjësi politike dhe hapje të një kapitulli të ri që rikthen besimin e anëtarësisë dhe të qytetarëve. LDK-ja është shumë më e madhe se secili prej nesh!”, ka shkruar Bajrami.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!