Deputetja e Kuvendit të Republikës së Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas liberalizimit të vizave për kosovarët, raporton Gazeta Sinjali.
Nëpërmjet një postimi në rrjetin social Facebook, Bajrami ka thënë se Qeveria e tanishme nuk ka merita për këtë arritje, teksa akuzuar Lëvizjen Vetëvendosje dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti, se kanë shtyrë liberalizimin për 7 vite.
“Fakti që Kosova është nën sanksione tregon më se miri meritat e Albin Kurtit për liberalizim. Megjithatë ai dhe LVV ka një meritë sa i përket liberalizimit, e kanë shty nga 2017 në 2024”, shkroi ajo.
Ndryshe, që nga 1 janari i këtij viti, qytetarët kosovarë kanë mundësi që të lëvizin lirshëm në zonën Schengen, të përbërë prej 27 vendesh evropiane.
Liberalizimi i vizave u mundëson qytetarëve të Kosovës, që kanë pasaporta biometrike, të qëndrojnë deri në 90 ditë – brenda gjashtë muajsh – në cilindo nga 27 shtetet anëtare të zonës Schengen.
Kosova ishte vendi i fundit i Ballkanit Perëndimor, qytetarët e të cilit deri më tani nuk mund të lëviznin lirshëm në zonën Schengen.
Kjo pavarësisht faktit se që nga viti 2018, Komisioni Evropian kishte konfirmuar disa herë që Kosova kishte përmbushur të gjitha kushtet për liberalizimin e vizave, por që disa shtete vazhdimisht kishin shprehur rezerva.