image Bajrami: Rritja ekonomike nuk reflekton realitetin kur inflacioni është 7.5%

Politikë

Bajrami: Rritja ekonomike nuk reflekton realitetin kur inflacioni është 7.5%

news image

Kandidatja e LDK-së për deputete, Hykmete Bajrami, ka deklaruar se të dhënat ekonomike nuk duhet të interpretohen të shkëputura nga njëra-tjetra, duke theksuar se inflacioni i lartë e zbeh efektin e rritjes ekonomike në jetën e qytetarëve.

Ish-ministrja e Financave ka reaguar duke thënë se rritja ekonomike prej 5.43 për qind nuk mund të shihet e izoluar nga inflacioni, i cili sipas saj ka arritur në 7.5 për qind në muajin maj 2026.

Sipas Bajramit, kur çmimet rriten më shpejt se të ardhurat, fuqia blerëse e qytetarëve bie dhe rritja ekonomike nuk ndihet në praktikë.

“Sepse kur çmimet rriten më shumë se të ardhurat, fuqia blerëse bie, qytetari nuk e ndjen rritjen, e ndjen shtrenjtimin”, ka shkruar ajo në reagimin e saj.

Bajrami theksoi se statistikat ekonomike duhet të analizohen në mënyrë të plotë, duke përfshirë edhe ndikimin e inflacionit në jetën reale të qytetarëve.

Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

/GazetaSinjali/