image Bajrami: Planifikojmë që testi i maturës të mbahet në javën e parë të korrikut, këto pyetje s'do të përfshihen

Kosovë

Bajrami: Planifikojmë që testi i maturës të mbahet në javën e parë të korrikut, këto pyetje s’do të përfshihen

news image

Koronavirusi ka ndryshuar tërësisht rutinën mësimore të nxënësve dhe mësimdhënësve në këtë periudhë. Mësimi është mbajtur online, ndërsa rikthimi i nxënësve në bankat e shkollës sivjet duket i pamundur.

Ministrja e Arsimit, Hykmete Bajrami, në një prononcim për Gazetën Sinjali ka thënë se testi i arritshmërisë dhe ai i maturës megjithatë do të mbahen dhe për këtë MASHTI është duke i bërë përgatitjet së bashku me Institutin Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK). Datat përfundimtare të mbajtjes së testit do të vendosen gjatë kësaj jave, ndërsa Bajrami ka përmendur kohën kur janë duke planifikuar të mbahet testi i maturës, i cili sivjet do të ketë rregulla specifike.

“Ne jemi tani duke kontaktuar me ta (IKSHPK) dhe duke u konsultuar në lidhje me organizimin e testit të arritshmërisë dhe testit të maturës, për të cilat nuk kemi vendosur përfundimisht, por besoj që gjatë kësaj jave do të vendosim”, ka thënë Bajrami. “Kemi draft-plane. Jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet. Ne mendojmë që testi i maturës të mbahet dikund ose javën e fundit të qershorit, ose javën e parë të korrikut, por më shumë jemi për javën e parë të korrikut”.

Megjithatë, Bajrami thotë se aprovimi përfundimtar do të jepet nga IKSHPK, që do të japë rekomandime specifike për procesin e testimit.

Në pyetjet e testit të maturës, ministrja Bajrami ka thënë se kanë kërkuar që të mos përfshihet pjesa e mësimit në distancë, pasi jo të gjithë nxënësit mund të kenë pasur mundësi ta përcjellin procesin mësimor në këtë mënyrë.

“Jemi duke i bërë të gjitha përgatitjet. Grupiet e ekspertëve janë duke punu në hartimin e pyetjeve. Kemi kërku nga ekspertët që të mos përfshihen pyetjet të cilat kanë të bëjnë me pjesën e mësimit në distancë”, është shprehur ajo.

“Testi i maturës është një test që teston mësimnxënien për 12 vite shkollim, andaj kemi mendu që duhet të përjashtohet pjesa e mësimit në distancë, duke pasë prasysh se mund të ketë ndonjë nxënës i cili nuk ka qenë në gjendje ta ndjekë tërë procesin e mësimit në distancë për arsye të ndryshme”, ka nënvizuar ministrja.

Ajo e ka bërë të qartë se mbrëmjet e maturës sivjet jo që nuk do të mund të organizohen, por do të penalizohen të gjithë ata që do të mblidhen për të festuar përfundimin e nivelit fillor apo të mesëm shkollor.

“Është e qartë. Derisa janë në fuqi të gjitha masat dhe vendimet në mënyrë që të mos ketë grumbullime, që të mbahet distanca, këto janë të qarta. Çdo shmangie e këtyre rregullave në fakt është shkelje dhe kjo penalizohet nga organet e rendit. Nuk kemi mendu dhe nuk mendoj që duhet të marrim masa tjera strikte. Përderisa nuk jemi në gjendje që të mbajmë orët mësimore, natyrisht që çdo event tjetër i cili ka implikime të grumbullimit të një numri të madh të nxënësve ose të qytetarëve në një vend të caktuar, është i ndaluar. Nuk ka nevojë që këtu të implikohet Ministria e Arsimit”, ka thënë Bajrami. /Gazeta Sinjali/