Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga nxënësit dhe studentët që të rrinë në shtëpi dhe të mësojnë nga shtëpia.
“Falë punës ekipore dhe vullnetarëve të shumtë, të cilët po punojnë pa kursyer asgjë, MAShTI ka arritur që 234 mijë nxënësve t’ua dërgojë shkollën në shtëpi. Janë mbi 200 mësimdhënës, vullnetarë dhe zyrtarë të Ministrisë, të cilët po punojnë vikendeve e festave që kjo të bëhet e mundur. Janë këta që po rrezikojnë jetët e tyre që ju të mësoni nga shtëpia.
Andaj ju bëjmë thirrje mësoni nga shtëpia, rrini në shtëpi”, ka shkruar Bajrami në Facebook.
Organizimi i mësimit online, sipas Bajramit, ka qenë një sfidë e madhe, pasi për një kohë të shkurtër është dashur përgatitja e video-ligjëratave, por, sipas saj, ky mobilizim është tregues i qartë se “kur kemi vendosmëri, nuk ka asnjë sfidë që na ndalon”.
Prandaj, ajo thotë me mburrje se pas pandemisë, sistemi i arsimit në Kosovë do të dalë edhe më i fuqishëm.
“Kemi arritur t’ua dërgojmë në shtëpi përmbajtjet mësimore mbi 234 000 nxënësve të arsimit fillor dhe atij të mesëm të ulët. Të gjithë këta fëmijë po kanë mundësi të mësojnë, të aktivizohen, të komunikojnë me mësuesit e tyre dhe kësisoj të kontribuojnë në luftimin e pandemisë.
Poashtu po ndihmojmë edhe realizimin e mësimit në distancë për mbi 77 900 nxënës të arsimit të mesëm të lartë, të cilët përmes platformave të ndryshme digjitale dhe me përkushtim maksimal të mësimdhënësve po arrijnë ta zhvillojnë suksesshëm mësimin në distancë. Universitet publike dhe ato private po zhvillojnë ligjëratat online me përfshirje shumë të madhe të mësimdhënëseve dhe studentëve”, ka shkruar ministrja e Arsimit. /Gazeta Sinjali/