Ish ministri i Tregtisë dhe Industrisë Bajram Hasani, ka paralajmëruar zhvillime të reja politike pas festës së Kurban Bajramit.
“Pas festës na presin shumë zhvillime”, ka shkruar Hasani teksa ka shpërndarë lajmin për aderimin e Sylë Bytyqit në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës.
Sylë Bytyqi është djali i axhës së ministrit të Arsimit, Shyqiri Bytyqi.
Burime të Sinjalit bëjnë me dije se edhe Ministri Bytyqi ka përmbyllur marrëveshjen me Ramush Haradinajn, por zyrtarizimi i kalimit të tij pritet të bëhet pas festës.
Bajram Hasani i cili ishte shkarkuar nga kjo pozitë nga partia “Nisma”, së fundi është bërë pjesë e Aleancë për Ardhërminë e Kosovës.
Duket se ky “kërcënim” i Hasanit është bërë kundër ish partisë së tij “Nismës për Kosovën” si shenjë revolte dhe pakënaqësie me drejtuesit e saj.
Se a do ta ketë fuqinë të ndikojë në bindjen e strukturave të tjera të Nismës që ta lëshojnë partinë e Fatmir Limajt dhe të aderojnë në ndonjë subjekt tjetër politik mbetet të shihet pas të hënës.
Bajram Hasani mbante pozitën e Ministrit të Tregtisë dhe Industrisë, deri në shtator të vitit të kaluar, kur edhe ishte shkarkuar nga Partia NISMA, e cila është në koalicion qeverisës me partinë AAK.
“Ata me të cilët e kaluam këtë rrugë të gjatë, të vështirë e plot sfida ndërruan faqe sapo shijuan privilegjet që t’i jep pushteti e paraja. Nuk desha dhe kurrë nuk do të dua të shkelë mbi djersën e njerëzve më të mirë të këtij vendi. Prandaj rrugët tona u ndanë. Kush më njeh e di mirë që unë kur e mbylli një kapitull nuk e kthej kokën prapa dhe as që dua të diskutoj, sepse nuk kam frikë nga asnjë gjë që e kam bërë gjatë punës”, kishte thënë Hasani kur i ndau rrugët me Nismën. /Sinjali/