image Baerbock: E rëndësishme që partnerët nga rajoni t’i përfshijmë edhe në çështjet që lidhen me të ardhmen e Evropës

Politikë

Baerbock: E rëndësishme që partnerët nga rajoni t’i përfshijmë edhe në çështjet që lidhen me të ardhmen e Evropës

news image

Ministrat e Jashtëm të shteteve të Bashkimit Evropian do të takohen të hënën, më 13 nëntor, në Bruksel me homologët e tyre nga Ballkani Perëndimor, për të diskutuar për një sërë temash me interes të përbashkët.

Ky është takim tradicional dhe atij do t’i prijë përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell.

Sipas paralajmërimeve nga BE-ja, temat kryesore do të jenë situata e sigurisë në rajon dhe më gjerë dhe bashkëpunimi mes bllokut dhe vendeve të rajonit në fushën e politikës së jashtme dhe sigurisë.

Gjatë arritjes në takim, Borrell tha se takimi i ministrave të Jashtëm me ata të Ballkanit Perëndimor, dëshmon se sa i rëndësishëm është ky rajon për bllokun.

“Do të diskutohen edhe propozimet e Komisionit Evropian nga paketa e zgjerimit dhe do të insistohet në afrimin më të madh në fushën e politikës së jashtme, pasi disa vende nuk po dëshmojnë përshtatje me politikën tonë të jashtme dhe sanksionet”, tha ai.

Kryediplomatja gjermane, Annalena Baerbock, tha se zgjerimi i BE-së është një çështje kyçe gjeopolitike për stabilitetin dhe paqen dhe kjo është posaçërisht e rëndësishme për rajonin e Ballkanit Perëndimor, sepse sipas saj, nuk duhet të ketë zona të zymta në sigurinë në Evropë.

“Jam shumë e lumtur që ministrat e Jashtëm të gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor janë këtu me ne përsëri për të shkëmbyer ide. Në konferencën e Berlinit ne tashmë e kemi bërë të qartë se zgjerimi është jo vetëm çështje gjeopolitike, por po ashtu e forcon edhe BE-në, se zgjerimi mund ta bëjë më të fortë nga brenda, sidomos kur është fjala për reformat. Prandaj, është e rëndësishme që partnerët nga rajoni t’i përfshijmë edhe në çështjet që lidhen me të ardhmen e Evropës, e jo vetëm t’i dëgjojmë një herë në vit”, tha ajo.

Takimi zhvillohet disa ditë pasi Komisioni Evropian miratoi dhe publikoi paketën e zgjerimit dhe raportet vjetore të progresit. Në to vlerësohet bashkëpunimi dhe koordinimi i veprimeve të shteteve të rajonit me BE-në në fushën e politikës së jashtme, me përjashtim të Serbisë dhe në një masë edhe të Bosnje e Hercegovinës, pasi këto dy vende kanë nivel më të ulët të përshtatjes me qëndrimet e BE-së në fushën e politikës së jashtme.

/GazetaSinjali/