Në seancën e së premtes në Gjykatën Themelore në Prishtinë në rastin ku Enver Sekiraqa po akuzohet për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, i dëmtuari Shefqet Riza, baba i të ndjerit Triumf, ka thënë se Enver Sekiraqa është vrasësi e jo ai që po rri në burg.
“I vetmi njeri që në mënyrë zyrtare ka pas problem ka qenë Enver Sekiraqa, prandaj ky është vrasësi, nuk osht ai që po rri në burg”, ka thënë babai i të ndjerit Trium Riza, Shefqet Riza.
Ai tha se familja e tij asnjëherë nuk ka pasur probleme me askënd.
“Edhe një gja po du me thanë se këtu nuk e kom thanë kurrë, se a kemi na drejt për djalin që është shpallë hero, e kurrë s’e kom thanë unë këtu, ja ku o krimineli që e ka vra, dytë nuk mujn me pas drejt, unë e di plotësisht na familja jonë nuk kemi pas kurrë probleme me kërkon”, shtoi Riza, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Paraprakisht, në këtë seancë prokurori special Shpetim Peci ka njoftuar gjykatën se tani e tutje kjo lëndë do të përfaqësohet nga ai.
Më pas, seanca ka vazhduar me elaborimin e provave të listuara nga prokurorja paraprake e rastit, Merita Bina-Rugova.
Prokurori special tha se të gjitha provat janë të listura në regjistrin që ia kanë dërguar gjykatës në kuadër të shqyrtimeve të mëhershme, ku janë të specifikuara prejardhja e tyre dhe gjendja faktike që është vërtetuar ose që është konstatuar në kuadër të këtyre provave.
Ai tha se sqarimet lidhur me këto prova materiale dhe ndërlidhja e tyre me prova personale, deklarata të dëshmitarëve dhe përmbledhja e tyre do të bëhet në kuadër të fjalës përfundimtare në përputhje me nenin 351 të KPP-së.
“Në përgjithësi, në raport me provat e prezantuara në listë ne mund të japim sqarime në këtë fazë lidhur me provat që janë kontestuar e që është raporti i bastisjes i cili është kontestuar në kuptim që është kryer pa urdhër të gjyqtarit. Në këtë kuptim, lidhur me këtë çështje neni i atëhershëm i Kodit të Procedurës Penale konkretisht neni 245 dhe 246 ka lejuar kontrollin edhe pa urdhër të gjyqtarit në rastet specifike kur është dashur që të veprohet me urgjencë ka mjaftuar vetëm urdhri verbal apo gojor”, tha prokurori special Peci.
Ai tha se zyrtarët policorë Fadil Gashi dhe Latif Merovci i kanë konfirmuar kësaj gjykate se para kryerjes së urdhër-kontrollit kanë marrë leje verbale nga ish-gjyqtarja e procedurës paraprake në atë kohë, Drita Hoxha.
“Në përputhje me lejen e dhënë nga ana e saj, kanë kryer edhe urdhër-kontrollin”, shtoi prokurori Peci.
Tutje, sipas tij një provë tjetër që është kontestuar ka qenë edhe fakti se Ligji për përgjimin e komunikimeve, ka përcaktuar se ruajtja dhe administrimi i të dhënave për ofruesit e shërbimeve ka përcaktuar kohën prej 1 viti për ruajtjen e të dhënave, por që nuk ka përcaktuar se të njëjtat duhet të shkatërrohen.
“Prandaj, konsiderojmë që edhe një provë e tillë është provë e ligjshme sepse siç u theksua dispozita nuk flet për shkatërrimin e materialit por flet vetëm për ruajtjen e materialin në raport me ofruesin e shërbimit”, tha prokurori special Peci.
Ai theksoi se këto dy prova u elaboruan në kuptim të ligjshmërisë së tyre, duke vazhduar më pas me leximin e listës së provave të tjera, për të cilat tha se do të elaborohen në kuadër të fjalës përfundimtare.
Në anën tjetër, mbrojtësja e të akuzuarit Sekiraqa, avokatja Kosovare Kelmendi tha se lista të cilën prokurori e lexoi me provat e propozuara si total paraqet një kuantitet i cili në fakt në përmbajtje është absolutisht bosh, i pakuptimtë dhe nuk ka asnjë relevancë me objektin e akuzës.
Ajo tha se e kundërshton që si provë të administrohet aktakuza kundër Arben Berishës, sepse aktakuza nuk është provë, për të vazhduar me procesverbalet e gjykimit të Berishës, aktgjykimin e Gjykatës së Qarkut kundër Berishës, Fitim Avdiut dhe Agron Eminit, si dhe aktgjykimin e plotfuqishëm të Gjykatës Supreme kundër të njëjtëve.
Sipas avokates Kelmendi, këto pesë prova të para të propozuara janë prova në raport me Arben Berishën dhe nuk mund të vërtetojnë absolutisht asgjë lidhur me objektin e akuzës, e cila është në shqyrtim.
“Provat nga 1 deri në 5 të lartcekura, vërtetojnë diçka që nuk është fare kontestuese e të cilën e ka pranuar vetë tashmë i dënuari atje dhe këtu dëshmitari Arben Berisha”, tha ajo.
Ndërkaq tha se nuk e kundërshtojnë provën 6 – raportin e këqyrjes së vendit të ngjarjes, provën 7 – fotoalbumin e vendit të ngjarjes, provën 8 – skica e vendit të ngjarjes, të cilat tha se po ashtu kanë të bëjnë me Berishën.
Po ashtu, edhe prova 9 tha se lidhet me Berishën, pasi që ka të bëjë me fotografi ku i njëjti shihet duke u larguar nga vendi i ngjarjes pas vrasjes së tani të ndjerit.
“Çka mund të vërtetojë ikja e Arben Berishës nga vendi i ngjarjes se e paska nxit apo shtyt Enver Sekiraqën”, tha avokatja Kelmendi.
Ndërkaq, provën 10, 11 dhe 12 tha se nuk e kundërshtojnë pasi që nuk rezultohet asgjë nga procesverbalet e bastisjes në shtëpinë e Faik, Enver dhe Hamit Sekiraqës dhe Osman Bytyqit.
Ndërkaq, për provën 13, avokatja Kelmendi tha se kjo provë, pra raporti i bastisjes së lokalit “Bar Sekiraqa”, ku janë sekuestruar disa sende është kontestuese dhe kjo bastisje është në shkelje flagrante të të gjitha dispozitave të Kodit të Procedurës Penale.
Ndërsa, provat 14, 15 dhe 16 tha se nuk i kundërshtojnë pasi që nuk janë fare relevante me objektin e akuzës.
Tutje, për provën 18, avokatja Kelmendi tha se këtë e kundërshtojnë vetëm për arsyen se po të rezultonte diçka që të ndërlidhte me objektin e akuzës ata do të kishin përmbajtjen qoftë të telefonatave apo çfarëdo forme të komunikimit.
Kurse, provat 19,20,21,22,23,24,25,27,28,29,30 avokatja Kelmendi nuk i ka kundërshtuar. Sa i përket provës 26, ajo tha se trupi gjykues duhet ta ketë në vëmendje këtë provë dhe ta ndërlidh me provën personale, pra dëshminë e dëshmitares Emine Zeqiri.
Ndërsa, për provën 31, që është raporti i hetuesit Medih Kozhani, avokatja Kelmendi tha se për këtë kanë vërejtje pasi që ky raport ndërlidhet me deklaratën e dëshmitarit D2, por që këtë do tq elaborojë në fjalën përfundimtare.
Lidhur me provën 32, e njëjta tha se kjo është një provë e përsëritur sepse listohet dy herë. Kurse, provat nga 33 deri në 38 nuk i ka kundërshtuar.
Ndërsa, provën 39 e cila tha se është një përmbledhje e masave hetimore të policit Medih Kozhani, e ka kundërshtuar pasi që sipas avokates Kelmendi kjo ka qenë pjesë e veprimeve të brendshme të policisë dhe raportimeve të tyre mbikëqyrëse dhe ka pasur të bëjë me procedurën hetimore ndaj Arben Berishës.
Po ashtu, edhe provën 40 avokatja Kelmendi e ka kundërshtuar me arsyetimin se për mbrojtjen është e paqartë se për cilët të dënuar bëhet fjalë. Ndërkaq, provën 41 e njëjta e ka kundërshtuar duke kërkuar nga trupi gjykues që këtë raport gjatë analizimin ta ndërlidhin me deklaratën e dëshmitares Besarta Mexhuani.
Provat 42 dhe 43, tha se nuk i kundërshtojnë dhe se nuk vërtetojnë asgjë e nuk kanë kurrarë relevance dhe asnjë lidhje me objektin e akuzës.
Tutje, provat 44, 45 dhe 47 nuk janë kundërshtuar, e për provën numër 46, avokatja Kelmendi tha se kjo provë nuk është arsyetuar fare nga ana e Prokurorisë.
Po ashtu, edhe prova 48 është kundërshtuar nga avokatja Kelmendi, pra raporti shtesë i hetuesit Medih Kozhani për veprimet hetimore.
“E kundërshtoj po ashtu provën 49 dhe madje po më duhet me qesh me ironi sepse sipas këtij raporti më 25 shtator 2007 i ka pa me veturë Enver Sekiraqën, Rahim Avdullahun dhe Ilir Abdullahun besohet se të njëjtit janë ndalu në rrugën e Taslixhes në Prishtinë”, tha avokatja Kelmendi lidhur me deklarimin e saj për provën me numër 49.
Ndërkaq, provat 50 dhe 51 ajo i ka kundërshtuar me arsyetimin se nuk vërtetojnë asnjë nga tezat e akuzës.
Tutje, provat 52, 53, 54 dhe 55 nuk i ka kundërshtuar, e për provën 56 ajo tha se kjo provë është e papranueshme dhe ashtu duhet edhe të shpallet nga trupi gjykues sepse me të është shkelur në mënyrë direkte neni 68 i Ligjit të komunikimit elektronik në lidhje me nenin 104 dhe në bazë të kësaj është shkelur edhe neni 36 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Më pas, provën 57 avokatja Kelmendi e ka kundërshtuar me arsyetimin se kjo provë nuk vërteton as përmbajtjen që ka në vetvete, me qëllimin e sajesës së një prove se kinse Enver Sekiraqa mban kontakte të rregullta me Arben Berishën përmes një gardiani që ka mbetur e pavërtetuar.
Ndërsa, prova 58 dhe 59 nuk janë kundërshtuar nga e njëjta, për provën me numër 60 ajo tha se kjo provë flet për katër raste penale të papërfunduara, e që duke pasur parasysh prezumimin e pafajësisë askush nuk mund të konsiderohet fajtor përderisa nuk ka një aktgjykim të plotfuqishëm.
Po ashtu, avokatja Kelmendi ka kundërshtuar edhe provën 61, ku tha se janë të dhënat personale të Sekiraqës dhe e kaluara kriminale gjithsej 22, duke propozuar që të njëjtat fare të mos pranohen si prova.
“Sepse këto janë raste të paraqitura në Polici ndaj personave NN, e që Policia ka dyshuar se mund të jetë eventualisht Enver Sekiraqa, e që të gjitha këto raste nuk e kanë kaluar stadin e mëtutjeshëm përveç si raste të paraqitura në Polici”, tha ajo.
Avokatja i ka kundërshtuar edhe provat 62 dhe 63 me arsyetimin se i referohen një personi i cili nuk është i përfshirë në këtë akuzë dhe ndaj të cilit po zhvillohet një procedurë e veçantë penale.
Ndërsa, provat 64 dhe 65 tha se kundërshtohen për arsye se bëhet fjalë për dy sim-kartela të sekuestruara nga i paraburgosuri Rrahim Abdullahu nga viti 2013, ku lëre që nuk ka rezultuar asgjë me Enver Sekiraqën por po ashtu sipas saj bëhet fjalë për një periudhë 7 vite pas ngjarjes.
Po ashtu, është kundërshtuar edhe prova 66 pasi që sipas avokates Kelmendi, nuk theksohet se për cilët abonent bëhet fjalë dhe se kjo është 6 vite pas ngjarjes kritike.
Ndërsa, prova 67 tha se kundërshtohet fuqimisht sepse ka të bëjë me disa raste ku viktimë ka qenë tani i ndjeri Triumf Riza siç është: djegia e veturës, shpuarja e gomave me thikë, përcjellja me motoçikletë, raste këto të gjitha të paraqitura në polici kundër NN personave e që janë pjesë e shkresave të lëndës, ndërkaq raporti policor sipas saj interpreton dyshimin se mund të kenë qenë kryer nga i akuzuari.
Kurse, provat 68, 69, 70, 72, 76, 77 dhe 78 nuk i ka kundërshtuar, e për provën 71 tha se kjo kundërshtohet sepse konstaton se bëhet fjalë për regjistrim të thirrjeve telefonike dhe mesazheve pa datë. Kundërshtimin për provën 73, avokatja Kelmendi e dha me arsyetimin se nuk dihet prej nga e kanë prejardhjen, ngase janë vetëm të përgjithësuara.
Po ashtu, ajo ka kundërshtuar dhe ka propozuar që prova 74 dhe 75 të jenë të papranueshme.
Ndërsa, për provën 79, avokatja Kelmendi tha se e kundërshtojnë sepse nuk është e qartë se për cilat masa të fshehta bëhet fjalë.
Ndërsa, lidhur me provën me numër 80, ajo tha se të gjitha shkresat e rastit të “Swiss Cazinos” në esencë nuk do t’i kundërshtonin sepse nuk ka asgjë të disfavorshme për të akuzuarin. Kurse, e ka kundërshtuar edhe provën e fundit me numër 81.
Pas përfundimit të këtyre kundërshtimeve, Kelmendi ka propozuar që të administrohen disa prova të cilat janë administruar në gjykimet e kaluara, si njoftimi i avokatit Ramiz Krasniqi i dorëzuar në gjykatë më 2015 derisa po zhvillohej një procedurë penale kundër të akuzuarit Enver Sekiraqa, sqarimi i PTK-së, prova materiale e lëshuar nga inxhinieri Qenan Qerimi, si dhe një dosje me raste që ka të bëjë me të ndjerin.
Ndërkaq, prokurori special Peci nuk e ka kundërshtuar provën e propozuar lidhur me shkresën e avokatit Krasniqi, por i kundërshtoi propozimet tjera.
Lidhur me këto propozime, trupi gjykues bëri të ditur se do të vendos jashtë shqyrtimi gjyqësor.
“Po ashtu do të vendoset edhe për kundërshtimet të cilat sot janë paraqitur nga avokatja Kelmendi”, tha kryetari i trupit gjykues, gjykatësi Agim Kuçi.
Meqenëse nuk kishte kohë të mjaftueshme që sot të vazhdohet edhe me marrjen në pyetje të të akuzuarit Sekiraqa, seanca e sotme është ndërprerë ndërsa e radhës u caktua më 8 nëntor 2023.
Ndryshe, seanca e 30 gushtit 2023 ishte ndërprerë me kërkesën e prokurorit special Burim Çerkini, i cili ishte në zëvendësim të prokurores së çështjes Merita Bina-Rugova, me arsyetimin se nuk ishte i gatshëm të bëjë elaborimin e provave materiale.
Ndërsa, seanca e datës 11 korrik 2023 ishte i hapur për publikun pas tri seancave të mbyllura.
Të mbyllura për publikun kanë qenë seancat e 2 majit, ajo e 15 majit, si dhe seanca e 6 korrikut 2023.
Edhe në seancën e 27 tetorit 2022, ishte mbyllur për publikun dëshmia e Adelina, Ema dhe Zanfina Ismailit, të cilat do të dërgjoheshin përmes video-lidhjes.
Gjykata Themelore në Prishtinë, për herë të dytë më 16 shtator 2019, e kishte shpallur fajtor Enver Sekiraqën për nxitje në vrasjen e ish-policit Triumf Riza dhe i kishte shqiptuar dënim në kohëzgjatje prej 30 vitesh.
Mirëpo, Gjykata e Apelit më 6 mars 2020, kishte vendosur të aprovojë ankesën e mbrojtjes së Sekiraqës duke e kthyer rastin për të dytën herë në rigjykim, pasi sipas Apelit aktgjykimi i shkallës së parë ishte marrë me shkelje të dispozitave të procedurës penale.
Sekiraqa për të njëjtin rast ishte dënuar edhe më 17 maj 2016, për dy vepra penale për “nxitje në kryerje të vrasjes së rëndë” dhe për veprën “detyrimi” me dënim unik prej 37 viteve burgim, kurse ishte liruar për veprën penale “dhunimi”.
Gjykata e Apelit, më 24 tetor 2017, kishte mbajtur një seancë dëgjimore lidhur me caktimin e masës së sigurisë ndaj Enver Sekiraqës, pasi e njëjta gjykatë më 19 tetor, në orët e mbrëmjes, e kishte liruar nga paraburgimi atë dhe ndaj tij kishte shqiptuar masën e arrestit shtëpiak.
Për ndryshimin e masës së sigurisë ndaj tij, kishin votuar tri gjykatëset e Apelit, dy nga radhët e EULEX-it, Elka Ermenkova dhe Anna Adamska-Gallant, si dhe gjykatësja vendore Mejreme Memaj.
Por, kjo gjykatë, pas vetëm dy ditësh, kishte vendosur që sërish ta rikthej në paraburgim, Enver Sekiraqën dhe për këtë, shkak ishte bërë një fotografi e publikuar në rrjetin social, nga miqtë që e kishin vizituar atë pas lirimit nga paraburgimi.
Me këtë, gjykata e shkallës së dytë, kishte vlerësuar se Enver Sekiraqa ka shkelur masën e arrestit shtëpiak, që i ishte caktuar.
Ndryshe, në seancën e Gjykatës së Apelit, e cila ishte mbajtur më 6 shtator 2017, ku ishin shqyrtuar pretendimet ankimore të palëve, Enver Sekiraqa, kishte kërkuar që të lirohet nga paraburgimi dhe të mbrohet në liri.
E si garancion për lirimin e tij, Sekiraqa kishte ofruar pasurinë e tij, përfshirë shtëpinë, lokalin dhe një shumë parash, të cilat kishte thënë se do t’i mblidhte me ndihmën e familjes.
Prokurorja ndërkombëtare e Prokurorisë së Apelit, Anca Stan, në seancën e 6 shtatorit të kolegjit të Apelit, kishte deklaruar se përveç pretendimeve në ankesë nuk kishte çfarë të shtonte tjetër, por e njëjta kishte thënë se kërkesa e palës mbrojtëse që të përjashtohen disa nga provat kruciale janë të gabuara.
Në prill të vitit 2014, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës kishte ngritur aktakuzë ndaj Enver Sekiraqës për tri vepra penale, për nxitje në vrasjen e Triumf Rizës, “detyrim” dhe “dhunim”, ku për këtë të fundit, gjykata e shkallës së parë e kishte shpallur të pafajshëm.
Prokuroria pretendon se incidenti i ndodhur në “Sëiss Casino” në mes të Sekiraqës dhe Rizës ishte njëri nga motivet që çuan në vrasjen e Triumf Rizës.
Incidenti në “Sëiss Casino”, kishte ndodhur në dhjetorin e vitit 2006, ndërsa në të ishin të përfshirë Enver Sekiraqa dhe disa shoqërues të tij në njërën anë, dhe i ndjeri Triumf Riza e Arben Selmani në anën tjetër. Në këtë incident i plagosur rëndë kishte mbetur Arben Selmani.
Triumf Riza u vra më 30 gusht të vitit 2007, vrasje për të cilën Arben Berisha është dënuar me 35 vjet burg, ndërsa Enver Sekiraqa ishte dënuar me 37 vjet burgim. /BetimipërDrejtësi/