Babai i 21-vjeçarit Abdul Ballout, i dyshuar për sulmin gjatë Paradës së Krenarisë në Berlin, ka deklaruar se i biri ishte radikalizuar dhe kishte përqafuar ideologjinë e organizatës terroriste ISIS.
Në një intervistë për revistën gjermane Der Spiegel, 64-vjeçari tha se kishte komunikuar me djalin e tij vetëm disa orë para sulmit dhe se ai i kishte shprehur dëshirën për t’u kthyer pranë familjes në Liban.
Babai i të dyshuarit ka mohuar se familja e tij ka pasur lidhje me ekstremizmin, duke theksuar se ata janë pjesë e komunitetit shiit dhe nuk e mbështesin ideologjinë e ISIS-it.
“Djali im u radikalizua dhe iu shpëla truri nga kjo ideologji”, ka deklaruar ai.
Ndërkohë, autoritetet gjermane po vazhdojnë hetimet për të zbardhur nëse Ballout ka vepruar i vetëm apo ka pasur persona të tjerë të përfshirë.
21-vjeçari dyshohet se përdori një furgon për t’u përplasur me pjesëmarrësit e Paradës së Krenarisë në parkun Tiergarten të Berlinit. Nga sulmi humbi jetën një grua, ndërsa 29 persona të tjerë u plagosën.
Hetuesit kanë bërë të ditur se i dyshuari kishte qenë më herët në vëzhgim për shkak të tentativave për t’iu bashkuar ISIS-it dhe ishte dënuar më parë në Gjermani për përgatitje të një akti të rëndë dhune.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!