Naim Musliu, prindi i Agon Musliut, ka rrëfyer nën emocione për momentet e fundit me djalin e tij para se të hidhej nga kati i pestë i konviktit. Musliu tha se ai doli për ta marrë djalin në aeroport por shprehet se shteti ia mori nga duart. Për vdekjen e djalit përgjegjës e bën ministrin e Shëndetësisë Arben Vitia dhe ushtruesin e detyrës së ministrit të Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçlën.
Ai tha se nga 147 udhëtarë që ishin në aeroplan vetëm 9-të janë futur në karantinë në Qendrën e Studentëve, në mesin e tyre edhe djali i tij tashmë i ndjerë, Agon Musliu.
“Në aeroplan kanë qëndruar 147 udhëtarë, prej tyre me sa e di unë, me atë që kam dëgju se vetëm 9 persona janë futur në karantinë, në mesin e tyre edhe djali im. Çdo gjë keq ka filluar nga Aeroporti, e keqja ka fillu nga aeroporti…Shteti ma ka marrë prej duarve të mia djalin, unë dola për me marrë. Përgjegjës kryesor është Ministria e Shëndetësisë, Vitia”, tha Musliu në Frontal, transmeton Gazeta Sinjali.
Ai tha se pasi doli nga aeroporti është nisur për në Qendrën e Studentëve për t’u çmall me djalin, por as aty nuk e lejuan ta takonte Agonin.
“Djali pastaj nisët për karantinë. Kur niset për karantinë, unë vozita me shpejtësi që të arrija ta shihja djalin të çmallem. Me thanë: Largohu s’ke drejt me u afru para autobusit, unë se pash djalin, djali më kish pas pa, unë se kam pa. Të paktën të isha çmall, e shtinën në konvikt, përgjegjësia e dytë i bie Sveçlës”, tha ai. /Gazeta Sinjali/