image Babai e raporton të zhdukur djalin e tij, 12-vjeçari kthehet pas dy ditësh - kishte qënduar me shokë në Prishtinë

Siguri

Babai e raporton të zhdukur djalin e tij, 12-vjeçari kthehet pas dy ditësh – kishte qënduar me shokë në Prishtinë

news image

Nuk janë të rralla rastet kur qytetarët kërkojnë ndihmën e Policisë për t’i gjetur familjarët e tyre që raportohen të zhdukur. E këto raste bëhen akoma më të rënda kur personat që zhduken janë të moshës së mitur. Një rast i tillë ka ndodhur së fundmi në Fushë Kosovë, ku një fëmijë 12-vjeçar është raportuar i zhdukur, mirëpo ngjarja mori fund me një epilog të lumtur në orët e para të mëngjesit të sotëm, pas dy ditësh ankthi për familjen, raporton Gazeta Sinjali.

Rasti është raportuar në Polici pasditen e djeshme nga babai i të miturit, i cili kishte deklaruar se djali i tij ishte larguar nga banesa të hënën rreth orës 12:00 dhe nuk ishte kthyer më.

Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se sipas përshkrimit të babait, i mituri kishte veshur një duks të bardhë, jelek të zi, pantallona të zeza dhe atlete të bardha.

Menjëherë pas njoftimit, policia kishte aktivizuar të gjitha mekanizmat për kërkimin e të miturit, ndërsa ishte njoftuar edhe prokurorja për të mitur, cila kishte udhëzuar inicimin e rastit dhe intensifikimin e kërkimeve.

Fatmirësisht, mëngjesin e hershëm të ditës së sotme, djali është paraqitur vetë në stacion policor bashkë me babain e tij.

Gjatë intervistimit, ai ka deklaruar se gjatë kësaj kohe kishte qëndruar në Prishtinë me disa shokë dhe ndodhet në gjendje të mirë shëndetësore.

Rasti është mbyllur, por nuk përjashtohet që organet përkatëse të analizojnë arsyet dhe rrethanat e largimit të të miturit për të parandaluar raste të ngjashme në të ardhmen.

/GazetaSinjali/