image 'Avulluan' 4 mijë e 500 euro nga llogaria e një qytetari, arrestohen katër persona në Gjakovë

Siguri

‘Avulluan’ 4 mijë e 500 euro nga llogaria e një qytetari, arrestohen katër persona në Gjakovë

news image

Katër persona janë arrestuar në Gjakovë pasi dyshohen për veprën penale “Vjedhja e identitetit dhe kredencialeve”, ku kanë tërhequr 4 mijë e 500 euro nga llogaria e një qytetari pa dijeninë e tij, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas informacioneve të para, rasti ishte raportuar në polici nga viktima në muajin nëntor, ndërsa pas hetimeve intensive të krimeve kibernetike, Policia tashmë ka arritur t’i arrestojë të dyshuarit.

Lajmi është konfirmuar nga Drejtoria Rajonale e Policisë së Gjakovës.

“Më datë 05.11.2024, një qytetar ka raportuar në polici se nga llogaria e tij bankare ishin tërhequr 4500 euro pa dijeninë e tij. Menjëherë pas këtij njoftimi, ekipi i krimeve kibernetike ka filluar hetimet intensive. Falë punës së palodhshme të hetuesve dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorin e Shtetit, është arritur të identifikohen dhe të arrestohen katër persona të dyshuar për kryerjen e kësaj vepre penale”, shkruhet në njoftim.

Nga policia është bërë e ditur se të dyshuarve iu janë sekuestruar dy telefona mobil.

“Pas intervistimit të të dyshuarve dhe përfundimit të procedurave tjera policore, me vendim të Prokurorit të Shtetit, tre nga personat e arrestuar, janë ndalur në mbajtje”, thuhet mes tjerash në njoftim.

/GazetaSinjali/