Avokati Naim Rudari ka paralajmëruar se në marketin Viva Fresh në lagjen Kodra e Trimave në Prishtinë mund të gjendet bukë me afat të skaduar.
Një bukë të tillë e ka gjetur vetë ai.
Përmes Facebook-ut, Rudari ka thënë se një bukë që donte ta blinte, kishte afatin e skadimit deri në datën 24/08/219, ndërkaq sot data shënon 25.
“Sot, në një nga marketet e mëdha në Prishtinë e me qarkullim të madh të shitjes, gjendet bukë me afat të skaduar në raftet e shitjes. Pra, sot me 25/08/2019 në këtë vend shitjeje, kishte bukë me afat skadimi 24/08/2019 dhe me afat skadimi 30/08/2019”, ka shkruar ai.
Buka që kishte skaduar dje, sipas avokatit e kishte mbështjellësin e shqyer. Për këtë, ai dyshon se është tentuar që të ndërrohet mbështjellësi.
“Buka me afat skadimi 24/08/2019 e kishte letrën e shqyer, e që dyshohet që ajo është tentuar të ndërrohet, që kjo rezulton e mundur që edhe buka që kishte afat skadimi 30/08/2019 e ka të ndryshuar vetëm atë letrën e thjeshtë me afatin e skadimit, që aty për aty mund të ndërrohet”, ka shkruar Rudari.
Meqenëse nuk nuk e ka gjetur numrin e Inspektoratit të Tregut, Rudari thotë se ka vendosur që ta publikojë rastin në Facebook.
I kontaktuar nga Sinjali, avokati ka treguar se në cilin market e kishte bukën me afat të skaduar. Ndërkaq thotë se nuk e di nëse ka edhe produkte tjera me afat të kaluar të skadimit.
“Nuk e di nëse ka edhe produkte tjera me afat të skaduar. Unë bukën e mora, atë e pashë”, ka thënë ai. /Sinjali
Inspektorati i tregut do të duhej të ketë një çasje më të lehtë për konsumatorët, mbase unë nuk gjeta numër kontaktues të paraqes këtë rast e të cilin po e publikoj këtu.
Nevojitet kontroll i përkushtuar i tregut dhe ushqimeve që konsumojmë, me qëllim parandalimin e sëmundjeve të ndryshme dhe ruajtjes së shëndetit e jetës që na rrezikohen çdo ditë.