Deportimi i shtetasit turk Harun Çelik nga qelitë e burgut ‘302’ drejt Turqisë ngjalli debate të shumta brenda vendit dhe në komunitetin ndërkombëtar jo vetëm për shkak të shkeljeve të shumta procedurale, por dhe për shkak të ‘statusit politik’ të Çelik i etiketuar si ‘gylenist’.
Avokati i tij, Alban Bengasi në një prononcim për mediat në Shqipëri ka zbuluar detaje të reja rreth ekstradimit të klientit të tij.
“Ndaj klientit tim nuk ka patur asnjë akt dëbimi dhe deportimi erdhi menjëherë pas vendimit të gjykatës për lirim për akuzën ‘Falsifikim të dokumenteve. Ai ka qëndruar 5 muaj në paraburgim për këtë akuzë ndërsa është marrë direkt nga policia brenda ambienteve të burgut 302 dhe është nisur drejt aeroportit“, tha Bengasi.
Avokati i gylenistit Çelik zbardh dhe një shkresë që ambasada turke i kishte dërguar autoriteteve shqiptare në lidhje me një hetim që kishte nisur ndaj në tij në Turqi.
“Ambasada turke kishte nisur një shkresë për autoritetet shqiptare ku viheshin në dijeni se Harun Çelik ishte nën hetim në Turqi. Klienti im ishte vënë në dijeni të kësaj shkrese ndaj kërkoi azil politik pasi ndihej i kërcënuar. Është dhe një rast tjetër i ngjashëm me Çelik dhe me datë 13 vendoset për të‘, tregon avokati Bengasi.
I pyetur nëse në momentin e deportimit ka pasur oficerë turq, ai është përgjigjur se në dijeninë e tij nuk ka pasur të pranishëm asnjë të tillë, ndërsa nuk ka informacion nëse ai është pritur në Rinas prej tyre./Gazeta Sinjali/