Avokati i Popullit, Hilmi Jashari, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që t’i respektojnë masat për parandalimin dhe luftimin e COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
Këtë thirrje, Jashari e bëri pas vizitës së tij në Institutin e Shëndetësisë Publiek të Kosovës (IKSHPK) dhe njoftimit me situatën aktuale të pandemisë në vend e cila pritet të dalë jashtë kontrollit.
“Avokat i Popullit u informua nga drejtori i IKShPK-së, Naser Ramadani, me situatën e fundit të shkaktuar nga pandemia dhe sfidat me të cilat ata përballen. Shqetësimi i madh është shprehur për numrin e madh të qytetarëve të infektuar me virusin COVID-19 ditëve të fundit dhe frika për dalje e situatës nga kontrolli”, thuhet në kumtesë.
Avokati i Popullit ka kërkuar që si asnjëherë më parë t’i respektojnë në mënyrë rigoroze rekomandimet e IKSHPK-së.
“Të gjendur në këtë situatë emergjente, bazuar në ngritjen rapide të të infektuarve nga virusi COVID-19 ditëve të fundit, implikimeve në shëndetin publik dhe pa dyshim ndikimin në të drejtën për jetë, ju drejtohem me Apel që, si asnjëherë më parë, me vetë disiplinë, t’i respektojmë në mënyrë rigoroze masat e rekomanduara nga qeveria dhe nga IKShPK-ja, në mënyrë që t’i jepet prioritet respektimit të së drejtës për jetë”, apelon Jashari.
Situata e krijuar nga pandemia, sipas Avokatit të Popullit, kërkon masa të cilat mund të mos jenë të arsyeushme nën llupen e të drejtave të njeriut.
“Edhe pse Kushtetuta e vendit garanton që “Të drejtat dhe liritë themelore të njeriut janë të pandashme, të patjetërsueshme e të pacenueshme dhe janë bazë e rendit juridik të Republikës së Kosovës”, ndikimi i pandemisë në shëndetin e përgjithshëm publik dhe serioziteti i situatës kërkon masa që nuk do të ishin të arsyeshme nën llupën e të drejtave të njeriut në rrethana normale. Në situatën në të cilën gjendemi, të drejtat e njeriut mund të jenë udhërrëfyese për vendime të ekuilibruara në mes mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe të shëndetit dhe, në anën tjetër, mbrojtjen e lirisë së lëvizjes dhe të interesave publike”, vazhdon komunikata.
Por, sipas Avokatit të Popullit, respektimi i këtyre masave do të thotë respektim i të drejtave të të tjerëve.
“Tashmë është bërë publik edhe “Manuali për mbrojtje nga përhapja e virusit COVID-19”, i nxjerrë nga IKShPK-ja dhe përmban udhëzime të qarta për qytetarët se si duhet të vazhdojnë të mbrohen nga virusi. Avokati i Popullit apelon tek të gjithë qytetarët që të respektohen masat e kërkuara e të thjeshta: mbajtja e maskës, e distancës sociale dhe e higjienës personale mund të na largojnë nga kjo situatë për të cilën ende nuk e dimë se si mund të përfundojë. T’i përmbahemi masave dhe duke i respektuar të drejtat tona, i respektojmë të drejtat e të tjerëve”, përfundon apeli./Gazeta Sinjali/