image Avokati i Popullit thotë se shteti dështoi në nxjerrjen e kursimeve të kosovarëve nga bankat e Serbisë

Kosovë

Deklaratë/ Avokati i Popullit thotë se shteti dështoi në nxjerrjen e kursimeve të kosovarëve nga bankat e Serbisë

news image

Javën e kaluar Serbia ka nisur t’i kompensojë ish-kursimtarët në bankat e ish-Jugosllavisë, që pastaj ishin trashëguar nga bankat e Serbisë, të cilëve iu janë pranuar aplikacionet deri më 23 dhjetor të vitit të kaluar. Por në mesin e atyre që do të kompensohen, sipas Avokatit të Popullit, Hilmi Jashari, gjasat janë të vogla që të ketë numër të madh të kosovarëve.

Kjo për faktin se, sipas tij, kosovarët nuk kanë qenë të informuar se bazuar në një vendim të Gjykatës së Strasburgut, mund të nxirrnin kursimet e tyre, ndërkohë që institucionet e Kosovës, sipas tij, kanë qëndruar tërësisht pasive në këtë proces, shkruan sot “Koha Ditore”.

Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, si dhe Ministria e Drejtësisë, në qeverinë e kaluar, nuk i kanë kthyer përgjigje e as që ishin marrë me një kërkesë të Avokatit të Popullit që të hapnin një zyrë të përbashkët, ku qytetarët kosovarë do të mund t’i dorëzonin dëshmitë që kanë për kursimet e tyre, e të cilat pastaj do të mund të dorëzoheshin në Beograd nëpërmjet Zyrës Ndërlidhëse për Kosovën.

Kërkesa e Avokatit ishte bërë rreth tre muaj para se të përfundonte afati që i kishte dhënë Serbisë Komiteti i Ministrave i Këshillit të Evropës, i cili është përgjegjës për mbikëqyrjen e zbatimit të vendimeve të Gjykatës së Strasburgut, për pranimin e aplikacioneve për zbatim të këtij vendimi.