Tubimet e partive politike gjatë fushatës zgjedhore kanë ngritur shqetësimin e Avokatit të Popullit për, siç thuhet në reagimin e tij, “zbatimin selektiv” të masave të qeverisë për parandalimin e pandemisë COVID-19, shkruan Gazeta Sinjali.
Sipas tij, ky është një standard i dyfishtë që nuk mund të tolerohet.
“Avokati i Popullit ka vërejtur se që nga fillimi i fushatës parazgjedhore nuk janë respektuar masat antiCOVID nga ana e partive politike ndërsa në anën tjetër institucionet që kanë për obligim t’i zbatojnë këto masa nuk kanë reaguar. Ky është një standard i dyfishtë që nuk mund të tolerohet dhe cenon barazinë e qytetarëve para ligjit. Përveç kësaj, Avokati i Popullit shpreh shqetësimin e tij për rrezikimin e jetëve të qytetarëve për mos respektim të masave”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tij.
Avokati i Popullit edhe njëherë rithekson obligimin që kanë të gjitha institucionet dhe partitë politike që të respektojnë masat për parandalimin e pandemisë ndërsa fton autoritetet kompetente që të ndërmarrin veprime konkrete për respektimin e këtyre masave nga subjektet politike.
Në këtë reagim, Avokati i Popullit ka përmendur edhe ankesat e bashkatdhetarëve rreth procesit të votimit.
“Avokati i Popullit bazuar në ankesat që ka pranuar nga qytetarët që ndërlidhen me procesin zgjedhor e që kryesisht kanë të bëjnë me verifikimin e aplikacioneve jashtë vendit, vështirësitë për shkarkim të formularëve të fletëvotimeve nga web faqja e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), mospërfshirja e qytetarëve me të drejtë vote në listën e votuesve, si dhe mospranimi përmes e-mailit të ankesave nga Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP).”
“Po ashtu, kërkesë e veçantë e votuesve jashtë vendit ka qenë mundësia që të shtyhet afati për pranimin e votave të dërguara me postë. Lidhur me këto ankesa, Avokati i Popullit i bënë thirrje KQZ-së ti shqyrtojë ato me qëllim që askush të mos privohet nga e drejta për të votuar.”
Për krejt këto shqetësime e me qëllim të përmbushjes së mandatit kushtetues, Avokati i Popullit ka njoftuar se është mobilizuar që të monitorojë procesin zgjedhor dhe me këtë rast njofton të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës se zyra kryesore dhe ato rajonale do të jenë të hapura në ditën e zgjedhjeve ku do të pranohen ankesat në rast të parregullsive që cenojnë të drejtën e votës së lirë./Gazeta Sinjali/