image Avokati i Popullit: Drejtori i ATK-së nxori rregullore të kundërligjshme dhe diskriminuese

Ekskluzive

Avokati i Popullit: Drejtori i ATK-së nxori rregullore të kundërligjshme dhe diskriminuese

news image

Institucioni i Avokatit të Popullit ka konstatuar se Rregullorja e nxjerrë nga Administrata Tatimore e Kosovës për riorganizimin e brendshëm dhe sistematizimin e vendeve të punës në këtë institucion është e kundërligjshme dhe diskriminuese.

Sipas Avokatit të Popullit, ATK ka bërë diskriminim ndaj dy zyrtarëve të lartë të saj, Hamdi Hoxhës dhe Florim Kurtishajt.

Këto përfundime erdhën pas trajtimit të ankesave të këtyre dy zyrtarëve. Hamdi Hoxha dhe Florim Kurtishaj ishin ankuar tek Avokati i Popullit me pretendimet se ishin diskriminuar nga ATK në momentin kur ishin degraduar në pozita të punës në bazë të Rregullores për riorganizimin e ATK-së.

Më 13 qershor të vitit 2019, me vendim të drejtorit të përgjithshëm të ATK-së, Ilir Murtezaj,  zëvendësdrejtori Hamdi Hoxha ishte caktuar në pozitën e udhëheqësit të Divizionit ndërsa drejtori i Departamentit të Lojërave të Fatit, Florim Kurtishaj, ishte caktuar në pozitën e udhëheqësit të ekipit të mbledhjes.

Sipas ATK-së kjo ishte bërë pasi pozitat e këtyre dy zyrtarëve ishin shuar në bazë të Rregullores së re për organizimin e brendshëm të ATK-së dhe se në ketë institucion nuk kishte pozita ekuivalente dhe me qëllim që të njëjtit të mos dërgoheshin si punëtorë tepricë ishin caktuar në pozita me të ulëta në mënyrë që të mos e humbnin statusin e zyrtarit të ATK-së.

Megjithatë sipas Ligjit mbi Shërbyesit Civilë, një zyrtar mund të transferohet në një pozitë tjetër për ushtrimin e funksioneve të njëjta, në të njëjtën kategori funksionale dhe në të njëjtën gradë.

Por në rastin konkret, sipas Avokatit të Popullit, ATK nuk e ka respektuar këtë ligj pasi përpos që ua ka ndërruar pozitën ua ka ulur edhe gradat këtyre dy ankuesve.

Sa i përket arsyetimit të ATK-së se nuk ka pasur pozita ekuivalente të lira por sipas Avokatit të Popullit kjo nuk qëndron pasi më 5 qershor kishte shpallur konkurs për përzgjedhjen e 3 zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm.

“Më 5 qershor  2019, ATK-ja  ka shpallur konkurs  per  vende te  lira pune  për tri pozita të zëvendësdrejtorëve të përgjithshëm. Sipas pohimeve të ankuesve, më 10 qershor 2019, ATK-ja i ka emëruar ushtrues detyre disa  drejtorë,  duke  mos i  sistemuar  drejtorët  e deritanishëm, të cilet i ka konsideruar si punëtorë tepricë, përfshirë edhe ankuesit”, thuhet në mendimin juridik të Avokatit të Popullit drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë.

Ricaktimi i këtyre dy zyrtarëve në pozita më të ulëta në punë, sipas IAP-it, përbën akt diskriminues pasi në ATK kishte pozita ekuivalente dhe se në to ishin caktuar si ushtrues detyre disa zyrtarë të tjerë.

“ATK emëroi ushtrues detyre disa drejtorë të tjerë duke mos i sistemuar drejtorët e deritanishëm të cilët i konsideroi punëtorë tepricë, dhe një praktikë e tillë përbën diskriminim pasi ankuesit janë trajtuar ndryshe nga ATK-ja, pasi nuk janë caktuar në pozitat ekuivalente”, thuhet në këtë vendim.

Kjo rregullore ishte miratuar më 17 maj 2019.

Por , sipas Ligjit për Organizimin  dhe  Funksionimin   e  Administratë s Shtetërore  dhe të Agjencive të Pavarura përcakton : “Organizimi i brendshem i  ministrive  dhe agjencive  ekzekutive  miratohet  me  akt  nënligjor  nga  Kryeministri në bazë  të propozimit të ministrit përgjegjë-s dhe miratimit paraprak të ministrit përgjegjes për administraten publike dhe opinionit të ministrit përgjegjës për financat. “; dhe përcakton:  “Qeveria  e Kosoves sipas   propozimit   të   ministrit  përgjegjes   për administratën publike miraton Rregulloren për standardet  të  organizimit  të  brendshëm  të institucioneve të administratës shtetërore, procedurat e detajuara për  përgatitjen, propozimin, konsultimin dhe miratimin e organizimit të brendshëm si dhe përmbajtjen e memorandumit shpjegues të propozimit. “

Avokati  i  Popullit  konstaton  se  ATK-ja  ka  dështuar  të  ofrojë  prova   bindëse  se me riorganizimin e ri të ATK-së në përputhje me Rregulloren e Brendshme të miratuar në maj,  ankuesit janë trajtuar pa diskriminim dhe në përputhje me legjislacionin në fuqi. /GazetaSinjali/