image Avokati i Popullit: Autoritetet kanë dështuar në zbatimin e Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi

Drejtësi

Avokati i Popullit: Autoritetet kanë dështuar në zbatimin e Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi

news image

Gjatë ditës së sotme është mbajtur Komisioni për të Drejtat e Njeriut, ku u diskutua për mungesën e zbatimit të Ligjit për mbrojtje nga diskriminimi.

Kryetarja e këtij Komisioni, Duda Balje u shpreh se ky ligj nuk po zbatohet dhe nga pjesëmarrësit në takim kërkoi të di se a duhet të ndryshohet ky ligj apo nevojitet një ligj i ri.

Avokati i Popullit, Naim Qelaj u shpreh se autoritetet kanë dështuar ta zbatojnë këtë ligj në kuadër të qëllimit dhe qytetarët kanë vështirësi t’i realizojnë të drejtat që vijnë nga ky ligj dhe që duhet të mbrohen.

Ndërsa, shtoi se përveç një rregulloreje, akte tjera nënligjore mungojnë për këtë ligj.

Drejtori i Zyrës për Qeverisje të mirë, pranë Zyrës së Kryeministrit, Habit Hajredini u shpreh se ashtu siç e parasheh ligji ata kanë hartuar këtë rregullore, e cila është duke u implementuar.

Ndërsa, Edi Gusia, kryeshefe e Agjencisë për Barazi Gjinore u shpreh se shtatë vite janë pak për të parë se ky ligj a duhet të bëhet i ri apo jo. Sipas saj duhet të bëhet një analizë për zbatueshmërinë e këtij ligji. Por theksoi se nuk e sheh të arsyeshme që çdo herë kur të mos zbatohet një ligj, të kërkohet të bëhet një i ri.

Sipas saj, nevojitet më shumë llogaridhënie dhe përgjegjësi nga autoritetet që duhet ta zbatojnë këtë ligj.  /GazetaSinjali/