Avokati i Popullit, Naim Qelaj javën e kaluar ka vizituar Qendrën e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara dhe Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, ku është takuar me të paraburgosurit, shkruan Gazeta Sinjali.
Avokati i Popullit nuk është takuar vetëm me Salih Mustafën, për shkak të vendimit të Panelit Gyqësor pranë Dhomave të Specializuara, thuhet në njoftim.
Përveç ish-krerve të UÇK-së, Qelaj u takua edhe me kryetaren e Dhomave të Specializuara në Hagë, Ekaterina Trandafilova.
“Z. Qelaj u takua edhe me Kryetaren e Dhomave të Specializuara, znj. Ekaterina Trandafilova dhe bashkëpunëtorët e saj me ç’ rast u njoftua për procesin gjyqësor, si dhe respektimin e të drejtave të paraburgosurve në procedurë gjyqësore, të cilat u garantohen me standardet ndërkombëtare për të drejtat themelore të të burgosurve, Kushtetutën dhe ligjet tjera të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.
Vizita e avokatit të popullit ka zgjatur nga 9 deri 11 nëntor 2021, dhe qëllimi i vizitës është njohja me situatën sa i përket procesit të drejtë gjyqësor, respektimi i të drejtave themelore në paraburgim e të cilat u garantohen me standardet ndërkombëtare për të drejtat e të burgosurve, Kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Kosovës. /GazetaSinjali/