Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, pati autorizuar për avokat Nasuf Hasanin, që të ngrejë padi ndaj avokatit Besnik Berisha, pasi e quajti prokurorin e rastit “Brezovica”, Rasim Malokun “këlysh të pushtetit” dhe tha se u arrestua me urdhër të ministres Haxhiu.
Avokati Hasani, i cili është edhe kryetar i Odës së Avokatëve të Kosovës në degën e Prishtinës, përpara disa javësh u gjobit për shkelje të etikës nga ky institucion.
Ai nuk ishte pajtuar me vendimin e OAK. Kishte ushtruar padi për të filluar konflikt administrativ me Odën.
Por, sipas vendimit që e ka siguruar del që padia është e huqur- pasi që Gjykata Themelore në Prishtinë e cilëson si krejt të palejuar.
“HUDHET poshtë si e palejuar padia dhe propozimi për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve, e paditësit Nasuf Hasani nga Prishtina…, kundër të paditurës Oda e Avokatëve të Kosovës me adresë në Rr.”Bedri Pejani”, nr.31, Prishtinë, nën shenjën A.nr. 1346/22 e datës 21.07.2023”, thuhet në vendim.
Gjykata ka nxjerr edhe arsyetimin, se pse kjo padi është e palejuar.
“Paditësi Nasuf Hasani nga Prishtina, me datë 21.07.2023, ka parashtruar padi dhe propozim për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve në këtë Gjykatë me të cilën ka kërkuar anulimin dhe shtyrjen e ekzekutimin e vendimeve te Komisionit për Ankesa i Odës së Avokatëve të Kosovës me nr. V.KD.nr.18-9/22 i datës 12.04.2023 dhe vendimi me numër V.KA.N.18-4/22 i datës 02.06.2023, për shkak të shqiptimit të gjobës.
E paditura/kundërpropozuesja Oda e Avokatëve të Kosovës, përmes përfaqësuesit të autorizuar, me përgjigjen e datës 04.08.2023 e ka kundërshtuar në tërësi padinë dhe propozimin për shtyrjen e ekzekutimit të vendimeve të goditura me padi duke i propozuar gjykatës që padinë ta refuzoj si të pabazuar apo që të njëjtën ta hudhë poshtë si të palejuar.
Për të vlerësuar lejueshmërinë e paraqitjes së padisë, gjykata iu referua Ligjit për Konfliktet Administrative, përkatësisht nenit 9, nenit 15, paragrafit 1 dhe nenit 34, paragrafit 1 në të cilën përcaktohet si në vijim: “Gjykata në konfliktin administrativ vendos për ligjpublike, vendosin për të drejtat, detyrimet dhe interesat juridike të personave fizikë dhe juridikë në çështjet administrative”, thuhet në arsyetim.
Sipas Gjykatës, bazuar në nenin 15 1. konflikti administrativ nuk mund të zhvillohet: 1.2. kundër akteve të nxjerra në çështjet rreth të cilave, sipas dispozitës së ligjit nuk mund të zhvillohet konflikti administrativ; Neni 34 1. Gjykata e hedh poshtë padinë me vendim, nëse konstaton se 1.5. është fjala për çështjen për të cilën sipas dispozitës shprehimore të ligjit nuk mund të zhvillohet konflikti administrativ”.
“Më tutje, gjykata iu referua edhe Ligjit me nr.04/L-193 për Avokatinë përkatësisht nenit 55 i cili përcakton se “Apelimi në gjykatën kompetente Kundër vendimit të shkallës së dytë përkatësisht përfundimtar, me të cilin është shqiptuar masa disiplinore-humbja e të drejtës për ushtrimin e avokatisë prej gjashtë (6) muajsh deri në pesë (5) vjet, humbjes së të drejtës së ushtrimit të avokatisë prej pesë (5) vjet gjer në dhjetë (10) vjet apo të humbjes së përhershme të së drejtës për ushtrim të avokatisë apo shlyerje nga regjistri i praktikantëve prej gjashtë (6) muajsh gjer në tre (3) vjet, si dhe shlyerja e përhershme nga regjistri i praktikantëve, mund të hapet konflikti administrativ në gjykatën kompetente”. Në këtë drejtim, duke marrë parasysh që ndaj paditësit është shqiptuar masa disiplinore e gjobës, dhe jo ndonjëra nga masat disiplinore të përcaktuara me nenin 55 të Ligjit me nr.04/L-193 për Avokatinë, gjykata konstatoi se nuk janë përmbushur kushtet ligjore për fillimin e konfliktit administrativ dhe për goditjen e aktit administrativ të kundërshtuar me padi”, thuhet në arsyetim.
Ndryshe, në vendimin e lëshuar nga OAK-u, thuhet se avokati Hasani u dënua me 2 mijë euro gjobë për shkeljen e rëndë të detyrave dhe autoritetit të avokatisë. Sipas vendimit, në një mbledhje që po mbahej dhe po transmetohej drejtpërdrejt në ‘Facebook’ në faqe zyrtare të OAK-ut, iu drejtua kryetarit të këtij institucioni, Behar Ejupit, duke i thënë se “ke rrejt, edhe fort bile”.