image Avokati dorëzon padi ndaj deputetit të VV-së, Visar Korenica për shpifje kundër Kadri Veselit

Drejtësi

Avokati dorëzon padi ndaj deputetit të VV-së, Visar Korenica për shpifje kundër Kadri Veselit

news image

Avokati Faton Fetahu, në cilësinë e përfaqësuesit ligjor të ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli ka njoftuar se ka dorëzuar një padi për shpifje kundër deputetit të Vetëvendosjes, Visar Korenica, raporton Gazeta Sinjali.

Sipas tij, i njëjti, në muajin mars të këtij viti, konsumoi një shpifje të pashembullt ndaj z. Veseli, në përpjekjen e tij të dëshpëruar për të vlerësuar rrethanat e dështimit të një projekti në kuadër të Administratës Tatimore të Kosovës.

Fetahu ka treguar se deputeti Korenica këtë deklaratë e kishte dhënë për portalin “Indeksonline” dhe artikulli ishte publikuar me titull: “ATK-ja ‘akshom Pazar’ me pozita, avancohen punëtorët që dëmtuan buxhetin”.

“Pas deklaratës publike me përmbajte shpifëse ndaj z. Veseli, sipas ligjit në fuqi, deputetit i kërkuam përmirësimin e shprehjes shpifëse, përkatësisht tërheqjen nga deklarata. Kaluan gjashtë javë dhe deputeti e injoroi kërkesën duke e zgjedhur heshtjen.

Pra, ai e artikuloi këtë shpifje, u sigurua ta publikonte dhe ta shpërndante në medie një deklaratë të tillë të pavërtetë, por nuk e provoi asnjëherë me asnjë fakt të vetëm. Në këto rrethana, rruga gjyqësore mbeti e paalternativë.”, ka njoftuar avokati.

Ai ka shtuar se si rezultat, në cilësi të avokatit të z. Kadri Veseli, ka depozituar padinë për shpifje kundër këtij deputeti, i cili në cilësinë e të paditurit do të ketë barrën e provave për të dëshmuar vërtetësinë e deklaratës së tij.

“Uroj dhe shpresoj që gjykata do ta trajtojë me efektivitet këtë rast gjyqësor duke e konstatuar shpifjen e z. Korenica dhe të njëjtin do ta mbajë përgjegjës për dëmet e shkaktuara, dhe në asnjë mënyrë të parashkruhet lënda, si në të kaluarën në një rast kërcënimi me jetë ndaj zotit Veseli”, thuhet në njoftimin e Fetahut.

/GazetaSinjali/