Policia e Kosovës ka arrestuar Alil Demirin të mërkurën në mbrëmje pasi sipas policisë maqedonase, kërkohej me fletarrestim ndërkombëtar të lëshuar nga Ministria e Punëve të Brendshme e RMV-së.
Për këtë rast, avokati Besnik Berisha ka deklaruar për Gazetën Sinjali se ndalimi dhe arrestimi i Demirit është bërë në mënyrë të kundërligjshme dhe përbën cenim flagrant të të drejtave ligjore dhe kushtetuese ndaj tij.
Berisha i cili është përfaqësues ligjor i Demirit, shprehet se nuk mund të ekstradohet në RMV pasi kërkesa e autoriteteve maqedonase është vendosur dhe refuzuar nga gjykata kosovare në të dy instancat.
“Alil Demiri u arrestua dhe ndalua në menyrë të kundërligjshme, bazuar në një urdhër interpoli për çështje e cila tashmë është trajtuar nga gjykata jonë. Kërkesa e autoriteteve të RMV-së për ekstradimin e tij tashmë është vendosur dhe refuzuar nga gjykata kosovare në të dy instancat.
Ai nuk mund të ekstradohet në Maqedoninë e Veriut dhe jam i bindur që ai nesër do i kthehet familjes dhe miqve të tij”, u shpreh Berisha. Kerkesa e re eventuale që mund të parashtrohet nga autoritetet e RMV-së përbën çështje të gjykuar dhe të trajtuar disa herë.
Për këtë arsye arrestimi dhe ndalimi i tij ishte gabim dhe përbën veprim të kunderligjshëm. Ai duhet të lirohet sepse çdo minut e kaluar në ndalim përbën cenim flagrant të të drejtave ligjore dhe kushtetuese për Alil Demirin”, tha avokati Berisha.
“Ai është dhe mbetet ì pafajshëm për krimin e konstruktuar dhe ekzekutuar nga shërbimet sekrete, e për të cilin ka folur edhe vet ish kryeministri i Maqedonisë së Veriut”, përfundon Berisha.
Ndryshe, rasti “Monstra” është i njohur për publikun dhe ka të bëjë me vrasjen e pesëfishtë në liqenin e Smillkovës në prill të vitit 2012 dhe për këtë vepër disa nga gjashtë të akuzuarit ishin dënuar me burgim të përjetshëm e disa me dënim maksimal.