image Avni Dehari i tha argat i përgjegjësve për vdekjen e Astritit, ky është reagimi i Behxhet Shalës

Kosovë

Akuza/ Avni Dehari i tha argat i përgjegjësve për vdekjen e Astritit, ky është reagimi i Behxhet Shalës

news image

Avni Dehari, për vdekjen e të birit i ka bërë përgjegjës kryeprokurorin e atëhershëm të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxhën, ministren e atëhershme të Drejtësisë, Dhurata Hoxhën, dy gazetarë e media si dhe drejtorin e Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe të Lirive të Njeriut, Behxhet Shalën, me këtë të fundit ka kontaktuar Gazeta Sinjali dhe në vijim të tekstit mund ta lexoni reagimin e tij.

“Realisht nuk është hera e parë që edhe këshilli edhe une apostrofohemi për rastin Dehari… Nëse dikë e akuzoni publikisht, atëherë duhet të shkoni në polici t’i ofroni faktet, policia qat punë e ka. Unë nuk i iku asnjë përgjegjësisë”, tha Shala për Gazetën Sinjali.

Gjatë bisedës, Shala thotë se KMDLNJ asnjëherë nuk e ka paragjykuar vdekjen e Astrit Deharit, sipas tij atëkohë janë bërë dy reagime publike, të cilat, Shala thotë se do t’i publikojë ditëve në vijim.

“Është sinjal për hetuesit që t’i fillojnë hetimet dhe të hetohet përgjegjësia e secilit të aspostrofuar, e në mesin e tyre edhe të këshillit edhe timin, pra unë nuk i iku asnjë përgjegjësie. Dhe nuk mund të gjeni kurrë në asnjë medium që Këshilli apo unë kemi deklaruar diçka për këtë rast, duke e paragjykuar rastin, as vrasje a vetëvrasje, i kemi dhënë dy komunikata lidhur me rastin Dehari të cilat së shpejti do t’i lëshojmë për media edhe aty çdokush mund t’i sheh nëse ka diçka të vërtetë”, tha Shala.

Shala thotë se çdo përgjegjësi të Këshillit për këtë rast e merr mbi supe.

“Nuk kom as çka mohoj as çka pohoj, për qëta është policia dhe hetuesit. Çdo përgjegjësi për këtë rast në Këshill e marrë unë, nuk ka asgjë në këshill që mund të fajësohet për diçka, ne do t’i bëjmë publike këto dy reagime që i ka bërë këshilli. E kuptoj Avni Deharin, por fjala publike ka përgjegjësi”, tha Shala ndër të tjera.

Ndryshe, pasi Avni Dehari e ka përmendur emrin, ish-kryeprokurorit të Prokurorisë Themelore të Prizrenit, Sylë Hoxha, ky i fundit ka folur për media. Ka kërkuar që për të gjitha t’iu referohen prokurorisë.

“Unë asnjëherë nuk kam qenë prokuror i këtij rasti. Unë vetëm kam lexuar një raport. Për gjithçka tjetër referojuni Prokurorisë”, ka thënë Hoxha ndër të tjera.

As prokurori i rastit të Astrit Deharit, Metush Biraj, nuk e ka komentuar rastin, ka thënë që mediat t’i referohen komunikatës së prokurorisë.

Ndërsa, ish-ministrja e Drejtësisë, Dhurata Hoxha, deri më tani nuk e ka thënë asnjë fjalë. /Gazeta Sinjali/