image Aventurat e Ramiz Kelmendit që ndërroi tri parti politike

Kosovë

Politikë/ Aventurat e Ramiz Kelmendit që ndërroi tri parti politike

news image

Ramiz Kelmendi mban rekordin si njeriu që ka ndërruar më së shumti parti në një kohë shumë të shkurtër. Për dy vjet, ai kishte kaluar nëpër tri parti politike.

Para 9 vitesh, në nëntor të vitit 2010, dega e AAK-së në Pejë kishte befasuar të gjithë kur publikoi listën e të nominuarve për deputetë nga ky rajon. Në listë gjendej edhe emri i biznesmenit Ramiz Kelmendi, një emër aso kohe krejtësisht i panjohur në politikë, shkruan Sinjali.

Sidoqoftë, ai kishte arritur të bëhej edhe deputet i AAK-së në Kuvendin e Kosovës. Kelmendi besonte fuqishëm se lideri i AAK-së do të ishte kryeministër i vendit. Megjithatë, ai nuk kishte durim të priste deri në vitin 2017, kur Ramush Haradinaj u bë kryeministër.

Më 5 maj të vitit 2014, Kelmendi kishte dhënë dorëheqje nga AAK-ja duke e akuzuar këtë parti se “planin për zhvillim ekonomik, AAK-ja nuk di ta nisë, e lëre më të zbatojë”.

Nuk vonoi shumë dhe pesë ditë më vonë, më 10 maj 2014, Kelmendi aderoi në një parti tjetër. U bë pjesë e PDK-së së Hashim Thaçit, që aso kohe ishte kryeministër në detyrë. Sapo kishte aderuar në partinë e Thaçit, Kelmendi tha se ka parë që në këtë parti do ta realizonte ‘planin e tij ambicioz për zhvillim ekonomik dhe krijim të vendeve të reja të punës’.

E Thaçi, që e kishte pritur në Kelmendin në PDK u bë president, ndërsa kryetari i ri i PDK-së, Kadri Veseli si duket nuk i dha ndonjë shpresë për ta realizuar planin e tij. Kjo bëri që Kelmendi të largohet edhe nga PDK-ja.

“Dorëheqja ime vie pasi që vizioni im për zhvillim ekonomik të Kosovës mu pamundësua”, kishte deklaruar Kelmendi pas dorëheqjes.

Edhe pas rreth dy vitesh pritjeje, Kelmendit nuk i kishte humbur shpresa për ‘realizimin e planit për zhvillimin ekonimik’. Tani atë e kërkonte te partia e Isa Mustafës, kur lideri i LDK-së mbante postin e shefit të qeverisë.

Më 25 tetor të vitit 2016, Kelmendi aderoi në Lidhjen Demokratike të Kosovës. Por as në LDK nuk e gjeti atë që kërkonte për 3 vjet, deri ditën e sotme kur njoftoi largimin nga kjo parti.

Kelmendi thotë se kishte kërkuar nga Mustafa që të sqarohet pozita e tij politike brenda qeverisë “për të përmbyllur vizionin për të ndihmuar zhvillimin ekonomik të Kosovës shumë të domosdoshëm”.

Edhe pas largimit nga LDK-ja, Kelmendi nuk do ta ndalë aventurën e tij me partitë politike. Kështu paralajmëroi edhe në njoftimin e tij për largimin nga LDK-ja.

“Unë me të drejtë kam kërkuar pozicionin tim nga vetë kryetari akademik Mustafa dhe nga bisedat e datës 05.09.2019 kemi arritur pajtueshmëri që rrugët e përbashkëta me LDK-në të ndahen, në mënyrë që unë të kem mundësi për të kërkuar partinë politike e cila më ofron mundësi dhe kushte që t’i realizoj dhe përmbushë vizionet e mia”, shkroi Kelmendi. /Sinjali