image AUVK urdhëron ndalimin e përkohshëm të punës, Ortopedia vazhdon operacionet

Shëndetësi

AUVK urdhëron ndalimin e përkohshëm të punës, Ortopedia vazhdon operacionet

news image

Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUVK), bazuar në gjetjet e ekipit inspektues, ka urdhëruar ndalimin e përkohshëm të punës së bllokut operativ në Klinikën e Ortopedisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

Bazuar në Ligjin e inspektoratit sanitar dhe Ligjin për parandalimin dhe luftimin e sëmundjeve ngjitëse, sipas inspektoratit, aty nuk janë plotësuar kushtet ligjore për lejimin e veprimtarisë sipas kërkesës qe është paraqitur.

Hapësirat e këtij blloku operativ, thotë Inspektorati sanitar, nuk i plotësojnë kushtet teknike sanitare dhe higjienike për ushtrim të veprimtarisë si salla operacioni.

“Korridori që lidh bllokun operativ me dhomat është punuar nga materiali që nuk është higjienik. Disa nga pajisjet janë të vjetruara/dëmtuara dhe të ndryshkura. Dyshemeja është pjesërisht e dëmtuar. Ka mungesë të ujit të ngrohtë rrjedhës.

Dezinfektimi, deratizimi dhe dezinsektimi nuk është kryer në të gjitha hapësirat”, thonë për Radion Evropa e Lirë nga Inspektorati sanitar i AUVK-ut.

“Nuk ka qenë i mirë pastrim gjeneral, i cili do të mundësonte nivel të mirë higjienik. Për të gjitha këto gjetje është njoftuar drejtori i kësaj klinike, i cili njëkohësisht është informuar me ndryshimet të cilat duhet të bëhen për t’u arritur niveli i plotësimit të kushteve për lëshim të sërishëm në punë”, thonë nga ky institucion.

Inspektorati gjatë 4 nëntorit thotë se ka parë angazhimin të personave për intervenim në rregullim të mangësive në Klinikën e Ortopedisë. Megjithatë, pavarësisht se është urdhëruar ndalimi i përkohshëm i punës në bllokun e ri operativ të Ortopedisë, gjatë së premtes puna ka vazhduar dhe janë kryer operacione.

Drejtori i Klinikës së Ortopedisë, Gani Jashanica, thotë se do të merren parasysh të gjitha vërejtjet, por puna do të vazhdojë në ndërtesën e re të Klinikës.

“Inspektorati ka kërkuar që puna përkohësisht të ndërpritet derisa të plotësohen disa kritere, të cilat i kemi marrë shumë seriozisht. Dhe kriteret e deratizimit, dezinfektimit janë kryer dhe uji i ngrohtë sot do të përfundojë. Mendojmë se të hënën do të kryhen të gjitha punët për të cilat ka pasur vërejtje”, thotë Jashanica.

“Ne jemi duke funksionuar pjesërisht, jo me kapacitet të plota. Aty ku i plotësojmë kushtet, jemi duke funksionuar. Besoj se do të kryhen kërkesat dhe ne jemi duke i kryer rastet urgjente dhe nuk kemi tjetërkund ku t’i operojmë pacientët. Sa i takon ujit të ngrohët, ne kemi funksionuar edhe me herët pa ujë të ngrohtë sepse panelet diellore, kur kanë qenë temperaturat e ulëta, nuk kanë funksionuar”, shton ai.

Të hënën, më 31 tetor, ka nisur puna në bllokun e ri operativ të Klinikës së Ortopedisë, investim ky i QKUK-së.

Në hapjen zyrtare të këtyre sallave ka qenë prezente ushtruesja e detyrës së drejtorit të përgjithshëm të Shërbimit Spitalor dhe Klinik Universitar, Pranvera Zejnullah- Raçi. Ajo tha se në bllokun e ri operativ ka katër salla operuese, me kushte moderne që do të bëjnë më të lehtë punën e stafit mjekësor dhe trajtimin e pacientëve.

Gjatë qëndrimit në këtë klinikë, gazetari i REL-it ka parë se në bllokun e ri operative të gjithë pajisjet janë bartur nga blloku i vjetër operativ.

“Pajisjet janë të vjetra më shumë se 20 vjet dhe kemi premtime se në vitin 2023 do të furnizohemi me pajisje të reja”, thotë Jashanica.

Investimi në këtë klinikë është bërë në kuadër të projektit të mbindërtimit dhe zgjerimit të objektit ekzistues të bllokut operativ të Klinikës së Ortopedisë.

Zbatimi i projektit do të vazhdojë me pjesën tjetër, ku pas rrënimit të sallave të vjetra operuese, do të vazhdohet me investimet e parapara./REL/

/GazetaSinjali/