image AUV i përgjigjet Ahmetit për qentë endacakë: Me vite po merreni me problemin, fotografia e njëjtë

Kosovë

AUV i përgjigjet Ahmetit për qentë endacakë: Me vite po merreni me problemin, fotografia e njëjtë

news image

Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti kishte thënë se presidenti, kryeministri dhe deputetët ose duhet t’ua japin përgjegjësinë komunave në lidhje me zgjidhjen e problemit të qenve endacakë, ose të shpallin gjendje emergjente për të trajtuar situatën.

Këtë reagim, Ahmeti e bëri pasi u raportua se qentë endacakë kanë sulmuar një grua shtatzënë në Prishtinë.

I pari i Prishtinës, kishte bërë akuza edhe ndaj Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë duke thënë se ata i kanë marrë buxhet 1.3 milion euro për të zgjidhur këtë çështje.

Ndaj këtij pretendimi ka reaguar Sadik Heta nga AUV, i cili është shprehur se nuk është koha e akuzave, por sipas tij duhet një bashkëpunim e kësaj agjencie me komunat e Kosovës.

“Baza ligjore e komunave i obligon ato ta trajtojnë problemin e qenve endacak dhe atyre me pronarë. Deri më tani shumë pak komuna e kanë bërë këtë gjë”, tha Heta.

Drejtori i Drejtorisë së Shëndetit dhe Mirëqenies së Kafshëve në AUV, Sadik Heta thotë se Komuna e Prishtinës prej disa vitesh po merret me çështjen e qenve endacakë.

“Sa për informacion Komuna e Prishtinës për herë të dytë po nxjerr projekt për trajtimin e qenve endacak. Është viti i shtatë apo i tetë që merret me këtë fotografi dhe pse nuk kanë mundur ta zgjidhin këtë problem mbetet për t’u diskutuar”, tha ai në RTV Dukagjini.

Heta thotë se AUV-i u ka dhënë komunave të gjithë mbështetjen logjistike që të merren me problematikën e qenve endacakë.

“Deri më tani nuk kam parë ndonjë gatishmëri të komunave për t’u ballafaquar me këtë problematikë. Për këtë arsye qeveria na kishte obliguar neve që në mënyrë emergjente të merremi me këtë problematikë në vitin 2018, por që në vitet pasuese vet komunat ta zgjidhin këtë problem”, deklaroi ndër të tjera ai. /Gazeta Sinjali/