image Autoriteti i Konkurrencës nis hetimin për marrveshje të ndaluara ndaj dy kompanive

Autoriteti i Konkurrencës nis hetimin për marrveshje të ndaluara ndaj dy kompanive

news image

Autoriteti i Konkurrencës i Republikës së Kosovës, njofton me 20 dhjetor të këtij viti, Komisioni për Mbrojtjen e Konkurrencës ka nxjerr konkluzion për fillimin e procedurës kundër  ndërmarrjeve Art Motion Sh.p.k. dhe Kujtesa Net Sh.p.k.

Sipas njoftimit, autoriteti ka analizuar kushtet e tregut të konkurrencës dhe duke vepruar sipas detyrës zyrtare, ka filluar procedurën për konstatimin e marrëveshjeve të ndaluara nga neni 5 dhe  vlerësimin e përqendrimit ku pjesëmarrësit në përqendrim nuk parashtrojnë kërkesë për lejimin e përqendrimit nga neni 13. Kompanitë operojnë në tregun përkatës, të ofrimit të shërbimeve të internetit dhe atë kabllor në territorin e Republikës së Kosovës.

Autoriteti njofton se, transaksionet/blerjet nëse janë realizuar, pa e dorëzuar njoftimin e detyrueshëm për qëllimin e përqendrimit sipas Ligjit 08/L-056 për Mbrojtjen e Konkurrencës, paraqet formë të kufizimit ose shtrembërimit të konkurrencës nga ndërmarrjet në territorin e Republikës së Kosovës ose jashtë  territorit, nëse veprimet e tyre kanë efekt në tregun e Republikës së Kosovës.

“Kontrolli i bashkimeve synon të parandalojë shtrembërimet e konkurrencës dhe synon të parandalojë efektet antikonkurruese përpara se ato të ndodhin (ex ante)”, thuhet në njoftimin e AKK-së.

Më tej Autoriteti e Konkurrencës njofton se, fillimi i procedurës për hetimin e çrregullimit të konkurrencës, ka për qëllim sqarimin e fakteve dhe në këtë mënyrë vërtetimin e shkeljes së pretenduar.

AKRK do të marrë vendimin e saj meritor bazuar në faktet e vërtetuara të rastit dhe do të mbaj të informuar opinionin dhe qytetarët të cilët marrin shërbime nga ndërmarrjet Art Motion dhe Kujtesa Net.

/GazetaSinjali/