image Autobusi nga Kosova sulmohet me gurë në Serbi, pronari flet për Sinjalin: Dikujt po i pengon emri (PAMJE)

Siguri

Autobusi nga Kosova sulmohet me gurë në Serbi, pronari flet për Sinjalin: Dikujt po i pengon emri (PAMJE)

news image

Një autobus i kompanisë “Turist Kosova e Re” është sulmuar me gurë mbrëmë në Serbi, derisa po kthehej nga Zvicra për në Kosovë. Në autobus kanë qenë vetëm 5 persona dhe fatmirësisht asnjeri prej tyre nuk është lënduar. Rastin për Sinjalin e ka konfirmuar edhe pronari i kompanisë, i cili ka dhënë detaje se si u përballën me sulmin.

Në një prononcim për Sinjalin, ai tha se nuk ka arritur ta konfirmojë nëse kanë gjuajtur dy persona apo vetëm një, por kanë dëgjuar krismat derisa autobusi ishte në lëvizje.

Ata ishin duke u kthyer nga Zvicra kur autobusi u sulmua me gurë.

“Kam qenë në autobus në momentin kur ka ndodhur, rreth orës 18:50, në autobusin që shkon Nish-Leskovc, në drejtim të Preshevës, në dalje. Afër mbrojtësve të autostradës kanë qenë dy persona, se a kanë gjuajtur të dy apo vetëm njëri, por i kemi dëgjuar krismat. Autobusi ka qenë në lëvizje në ato momente, por s’ka qenë i mbushur më udhëtarë, kemi qenë pesë persona. Ne kemi qenë rrugës për në Kosovë, nga Zvicra”.

Pronari i kompanisë tutje foli edhe për motivin, duke thënë se arsyeja pse mund të jetë sulmuar autobusi është emri i kompanisë ku përmendet “Kosova”, që sipas tij po i pengon “dikujt në Serbi”.

“Në autobusin tim është e dukshme emri i kompanisë, ku shkruan “Kosova e Re”, dikujt në Serbi po i pengon emri i Kosovës. Por fatmirësisht s’ka pasur të lënduar. Rastin e kam lajmëruar në Policinë Serbe, në kufi, te Dheu i Bardhë dhe më pas jemi kthyer. Rastin e kam lajmëru edhe në Policinë kufitare të Kosovës.”, përfundoi ai për Sinjalin.

/GazetaSinjali/